Franca dhe Kanadaja kanë hapur konsullata në Groenlandë, në një zhvillim që shihet si shenjë e qartë e mbështetjes politike dhe diplomatike që aleatët e NATO-s po i ofrojnë ishullit Arktik, në një periudhë tensioni gjeopolitik.
Kanadaja inauguroi zyrtarisht konsullatën e saj në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon, dhe Ministrja e Jashtme, Anita Anand.
Po gjatë ditës së sotme, edhe Franca përuroi konsullatën e saj në Groenlandë, duke zgjeruar më tej praninë diplomatike në ishull. Deri tani, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Islanda kishin konsullata në Nuuk.
Këto hapa diplomatikë vijnë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët kishte sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës për arsye të sigurisë kombëtare, deklarata që shkaktuan reagime të forta në Evropë dhe më gjerë.
Më vonë, Trump zbuti qëndrimin, duke thënë se po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.
Autoritetet kanadeze theksojnë se hapja e konsullatës nuk është një reagim i menjëhershëm ndaj situatës aktuale, pasi vendimi ishte paralajmëruar që në fillim të vitit 2024, në kuadër të rishikimit të politikës së jashtme të Otavës për Arktikun. Konsullata ishte planifikuar të hapej në fund të vitit 2025, por inaugurimi u shty për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Ekspertët vlerësojnë se prania e shtuar diplomatike reflekton rëndësinë strategjike të Groenlandës dhe lidhjet e forta historike mes komuniteteve inuit në rajon./mxh
