Atentati i Rinasit, ku mbetën të vrarë më datë 11 Nëntor 2025, Gilmando Dani dhe humbi jetën katër ditë më pas në spital efektivi i policisë Muçi Shaljani, që udhëtonte me të, vjen në dritën e dëshmive të reja dhe pistat ku grupi hetues është ndalur në zbardhjen e këtij krimi.
Por si mbërriti deri në vendin e krimit, makina e autorëve? Dhe si u shfaq ajo aty?
A ishte e mbushur zona me informatorë të cilët mbanin të informuar togën e qitësve, e cila siç thamë shfaqet në skenën e atentatit vetëm 2 minuta përpara se automjeti ku në bord janë Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani, të lerë parkingun e aeroportit ‘Nënë Tereza’ dhe të lëvizë drejt rrethit.
Cila ishte e shkuara e makinës që u përdor në krim dhe pse në orën që ndodhi atentati në zonë ishte ndërprerë energjia elektrike? Gilmando Dani që siç del edhe më tej nga ekspertiza mjeko-ligjore, u gjet pa asnjë shenjë jete në sediljen e parë të automjetit ‘Mercedes Benz’ të drejtuar nga miku i tij Muçi Shaljani, ku plumbat e kishin marrë në kokë.
Plumba që kishin dëpërtuar deri në veshmbathjet e tij, apo edhe në çantën e dorës.
Dani kishte lëvizur nga aeroporti deri në makinën e mikut të tij që ndodhej në parking, me një kapele në kokë dhe një orë Rolex në dorë.
Por përveç dy aparateve të tij celularë, ku njëri mbante inicialin e emrit të tij, dhe sendeve personale, policia nuk gjeti në makinë asgjë të paligjshme.
Madje sasia e rrobave që kishte marrë me vete, të lë të kuptosh se udhëtimi i tij do të ishte i shkurtër në shtetin spanjoll.
“Gjatë kqyrjes së kufomës së shtetasit Gilmando Dani, në ambjentet e IML, Tiranë, u konstatuan disa dëmtime në trup dhe një dëmtim në kokë, i shkaktuar nga kalimi i predhave të një arme zjarri. Nga trupi i viktimës u hoqën tre predha metalike, tre këmisha predhe dhe një bërthamë predhe”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’. targat e automjetit ‘Toyota’ që u përdor nga qitësit në krimin e vrasjes së Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, rezultojnë të vjedhura në Greqi, gati pothuaj një vit më parë.
Një histori tashmë e ngjashme e cila përsëritet në çdo skenë krimi në Shqipëri, ku makinat e vjedhura brenda apo jashtë vendit, mbahen të magazinuara dhe më pas dalin dhe përdoren në skena krimi të ndryshme, sikurse duket se ka ndodhur edhe në atentatin e fundit në Rinas.
Ndërsa makina me të cilin udhëtonin tashmë dy viktimat i përket një kompanie, e cila është në pronësi të Elvis Kosovës i njohur si Visi i Garave që merret me shitje dhe blerje makinash, si dhe ka marrë pjesë në disa gara me makina.
Elvis Kosova rezulton se një vit më parë është arrestuar së bashku me një shtetas turk, i identifikuar si Yucehan Er, pasi përmes një skeme mashtrimi kanë tentuar që të përvetësojnë një automjet tip ‘Audi’ me vlerë 200 mijë euro.
Ndërsa në korrik të këtij viti, atij iu vendos tritol në garazh, në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë.
“Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat greke XZX 1059, janë kallëzuar të vjedhura me datë 28 Tetor 2024, në shtetin grek, dhe i përkasin një automjeti të markës Opel Corsa, me pronar po një shtetas grek.
Gjithashtu, nga verifikimet në sistemin E-gjoba, rezulton se automjeti ‘Mercedes Benz’ me targa AB 099 UO, me ngjyrë të bardhë me të cilët udhëtonin i dëmtuari dhe viktima figuron i regjistruar në emër të kompanisë ‘Mel Construction’”, thuhet në dosjen hetimore.
Por cilat ishin lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçit Shaljanit në shtetin spanjoll?
Dhe si ishte e mundur që një agjent i Mbikqyrjes Policore të lëvizte bashkë me një kontigjent të tillë kriminal Gilmando Dani që nuk kishte vetëm 6 muaj që kishte dalë nga burgimi, në akuzën për gjobëvënie ku ishte dënuar në vitin 2018 me 12 vite burgim, por që kishte dalë me vetëm 2/3 e dënimit?
“Nga verifikimet të sistemin Tims, rezulton se shtetasit Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani kanë regjistruar dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë me datë 7 Nëntor 2025, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas, si dhe kanë regjistruar hyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 11 Nëntor 2025, po në pikën e kalimit Kufitar Rinas”, thuhet në dosjen hetimore.
Por ajo që bën habi në udhëtimin e tyre është se Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani duhet të ktheheshin në Shqipëri një ditë më herët, pra më datë 10 Nëntor, dhe jo më 11 kur ranë pre e atentatit.
Kjo pasi fluturimi i tyre loë coast me kompaninë ‘Ëizz Air’, ishte anuluar duke shtyrë kështu me 24 orë kthimin e tyre në atdhe, por që ky anulim nuk duket se i shpëtoi pasi vrasësit kishin informacion të saktë lidhur mbi lëvizjet e tyre, pse jo edhe për anulimin e fluturimit.
Çka lë të mendosh se burimi i informacionit ka qenë fare pranë tyre ose vrasësit mund t’i kenë ndjekur deri në Spanjë.
Ndërkohë që është ende e paqartë arsyeja e vizitës së shkurtër të Danit dhe Shaljanit në Spanjë.
Sipas të dhënave të siguruara nga pamjet filmike ajo që është arritur të konfirmohet është fakti se makina me togën e qitësve vjen nga e njëjta rrugë nga e cila më pas largohet.
Për qëllime të hetimit janë sekuestruar dhe administruar pamjet filmike të marra nga subjekte të ndryshme private në vendin e ngjarjes si dhe përgjatë itinerarit që dyshohet se kanë përshkruar autorët për t’u afruar dhe larguar nga vendi i ngjarjes.
Nga kqyrja paraprake e kamerave të sigurisë së ‘A.. Hotel’ rezulton se më datë 11 Nëntor 2025, në orën 14:08, nga rruga e vjetër e Fushë Krujës (Rruga e hurmave) shfaqet duke ardhur në drejtim të rrethit të Rinasit, një automjet në dukje i markës ‘Toyota’ me targa të huaja, i cili ndalon dhe qëndron për disa minuta me bllokazh në trotuarin përpara subjektit ‘A.. Hotel’”, thuhet në dosjen e hetuesve.
Por për të mësuar se si Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani udhëtuan së bashku, grupi hetues nisi kërkimet edhe për mënyrën se si ata siguruan biletat e udhëtimit për në Spanjë.
Nga ku rezultoi se këto bileta nuk ishin prerë nga ata vetë, por nga një person i tretë që ishte paraqitur në emër të Muçi Shaljanit dhe që duket se kishte njohje të vjetra me administratoren e agjencisë së udhëtimit.
“Nga verifikimet paraprake, rezulton se këta dy shtetas kanë udhëtuar sëbashku dhe biletat e udhëtimit janë prerë në agjensinë e udhëtimeve ‘L… Travel’, Tiranë, me administratore shtetasen D. Ç.
E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, shtetasja D. Ç, ka deklaruar se në agjensinë e udhëtimve të saj ka të punësuar pesë punonjëse, të cilat së bashku me të merren me rezervimin e biletave të udhëtimeve me avion, autobus, etj..
Rezervimet e udhëtimeve sipas saj bëhen me anë të paraqitjes fizike të klientëve pranë agjencisë ose nëpërmjet numrit të telefonit të kompanisë”, thuhet në dosje.
Por në rastin konkret D. Ç pranoi se prerja e biletave nuk ishte bërë nga vetë personat fizikë. Por nga një njohje e saj shoqërore, prej disa vitesh i cili prenotonte shpesh bileta në agjencinë e saj. Jo vetëm për personin e tij, por edhe për familjarë dhe lidhje të tija shoqërore. Siç kishte bërë edhe herën e fundit që kishte kontaktuar me të si administratore e agjencisë. Ku kishte kërkuar dy bileta udhëtimi. Vetëm dy ditë përpara se Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani të udhëtonin drejt Barcelonës në Spanjë.
