Last Updated on 14/08/2026 by Anisa
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 29 vatra zjarri. Nga këto, 11 vatra vijojnë të jenë aktive, 3 janë në monitorim, ndërsa 4 janë nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në terren 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në operacione janë përfshirë gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Dajt, Tiranë – Vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Situata po monitorohet edhe në Priskë të Madhe, ku nuk raportohet rrezik për banesat.
Përmet, Gjirokastër – Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët vijojnë punën për izolimin e zjarrit. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një prej operacioneve më të rëndësishme, ku janë angazhuar 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Ndërhyrja ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të perimetrit pranë banesave, duke shmangur rrezikun për to. Nga ajri kanë operuar dy avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtime të tjera ku zjarri ruan intensitet.
Qafa e Helmes, Bulqizë-Dibër – Vatra vijon të jetë aktive në terren pyjor. Në operacion janë angazhuar 10 efektivë të MZSH-së, 6 forca bashkiake dhe 6 forca nga njësia administrative Selishtë.
Troje, Mirditë – Për izolimin e vatrës po punojnë 13 efektivë të MZSH-së me 3 automjete zjarrfikëse, 36 forca bashkiake, 3 punonjës policie dhe 20 vullnetarë. Në operacion janë përfshirë gjithashtu 30 efektivë të FA-së dhe dy automjete zjarrfikëse.
Shkodër – Vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre. Në Goraj-Budishtë nuk raportohet rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.
Elbasan – Vatra aktive vijojnë në Dardhë, në bashkinë Librazhd, ku po operojnë forcat e MZSH-së, shërbimit pyjor dhe bashkisë, si dhe në Shalës të bashkisë Cërrik. Në Dardhë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në tërësi, operacionet po vijojnë në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri. Në disa prej zonave më të ekspozuara, ndërhyrja e forcave ka bërë të mundur mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së flakëve.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e kapaciteteve në terren, sipas nevojës./ad
