Një nga qytetet me problematika si pasojë e motit të keq është edhe Gjirokastra. Gjatë mbrëmjes së djeshme përroi doli nga shtrati duke shkaktuar përmbytje dhe sjelljen e inerteve të ndryshme.
“Kemi kaluar orë të vështira gjatë gjithë ditës së djeshme”, tha kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.
“Gjatë mbrëmjes situata u përkeqësua shumë në reshje, në fakt, të papara prej vitesh, edhe të thëna nga specialistët. Nuk ishin thjesht reshje shiu për rënie materialesh të ardhura prej Malit të Gjerë në lagjet kryesore të qytetit”, shtoi ai.
Sipas kryebashkiakut situata më e keqe ka kaluar.
“Nuk kemi patur jetë njerëzish të rrezikuara. Sa i përket rrugëve të qytetit kemi filluar që mbrëmë me pastrimet e interteve. Janë tonelata interte që po largohen”, tha ai.
Për momentin në Gjirokastër janë vetëm dy vatra problematike.
“Njëra është pranë Kishës së Vjetër dhe në zonën e Cfakës e cila nga specialistët thanë se nuk rrezikohen familjet, por duhet parë për të mos pasur probleme në vazhdimësi”, tha Golemi.
Sipas kryebashkiakut nuk ka pasur shumë dëme në banesa. Sa i përket dëmeve në biznese, ai theksoi se në një fazë të dytë do të vlerësohet gjithçka sipas ligjit./kb
