Ajo që nisi si një aksident i rëndë në shtëpinë e Kıvanç Tatlıtuğ në Stamboll, tashmë është kthyer në një çështje që po merr përmasa të tjera. Pas rrëzimit të një punëtori nga çatia e pronës së aktorit, në skenë ka dalë një marrëveshje e diskutueshme, akuza për dokument të datuar në mënyrë retroaktive dhe një kallëzim penal që përfshin emrin e Tatlıtuğ.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 gusht në pronën e aktorit në Göktürk, në pjesën evropiane të Stambollit. Bahadur Yangibayev, shtetas nga Turkmenistani, i cili ishte sjellë për punë pastrimi, u rrëzua nga çatia dhe pësoi dëmtime serioze. Ai u dërgua në terapi intensive, ndërsa menjëherë pas incidentit nisën hetimet për të zbardhur përgjegjësitë.
Në qendër të hetimit u vendos A.A., pronari i kompanisë që po kryente punimet e rinovimit në pronën e aktorit. Ai u mor në pyetje nga autoritetet, por deklaroi se Yangibayev nuk ishte punonjës i tij dhe se nuk i kishte dhënë asnjë udhëzim për të dalë në çati. Më pas, A.A. u la i lirë nën kontroll gjyqësor.
Por pikërisht këtu historia mori një kthesë të papritur.
A.A. pretendon se ndërsa ndodhej në komisariat, një avokat që ai e identifikoi si përfaqësues të Kıvanç Tatlıtuğ shkoi ta takonte dhe i kërkoi të firmoste një dokument prej tre faqesh. Sipas tij, në faqen e parë përmendej vetëm puna e “lyerjes dhe rinovimit”, ndërsa më vonë ai dyshoi se dokumenti mund të ishte datuar pas faktit, duke tentuar sipas pretendimeve të tij të zhvendoste përgjegjësinë për aksidentin te kompania e tij.
Pretendimet janë bërë tashmë pjesë e një beteje ligjore. Avokatja e A.A., Fatma Uluca Telli, ka paraqitur kallëzim penal ndaj Tatlıtuğ dhe avokatit I.A., duke kërkuar edhe ekzaminimin e dokumentit origjinal.
Por nuk mbaron këtu.
Në kallëzim pretendohet gjithashtu se vullneti i A.A. mund të jetë cenuar në momentin kur ai firmosi marrëveshjen. Ndërkohë, një kërkesë tjetër është paraqitur pranë Dhomës së Avokatisë së Stambollit, ku kërkohet nisja e procedurave disiplinore ndaj avokatit I.A. për pretendime lidhur me përdorimin e pozitës së tij profesionale.
Nga ana tjetër, avokati i Kıvanç Tatlıtuğ ka kundërshtuar pretendimet që janë bërë publike rreth çështjes. Pra, ndërsa një aksident në pronën e aktorit po hetohet nga autoritetet, tashmë përballë njëri-tjetrit janë edhe versione të ndryshme mbi një dokument që mund të jetë bërë pjesë e rëndësishme e dosjes.
Hetimi vijon, ndërsa mbetet për t’u zbardhur se çfarë ka ndodhur realisht në pronën e aktorit dhe nëse dokumenti i firmosur do të luajë një rol kyç në përcaktimin e përgjegjësive./mxh
