Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit zhvillimin e një mocioni me debat për situatën e krijuar në Shërbimin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ajo është firmosur nga shtatë deputetë dhe i është dërguar kryetarit Niko Peleshi.
Në kërkesë thuhet se raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet sot shëndetësia, veçanërisht shërbimi onkologjik.
Raporti i KLSH-së evidenton dhe fakton shqetësimet e ngritura vazhdimisht në media dhe denoncimet e të sëmurëve me kancer për mungesën e barnave, përdorimin e barnave të skaduara, mungesën e kontrolleve laboratorike, si dhe ofrimin e shërbimit në kohë.
Kërkesa zyrtare drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është firmosur nga deputetët Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo.
“Kjo është një urgjencë, që kërkon reagim institucional e veprim të shpejtë, pasi për vetë llojin e shërbimit shëndetësor, çdo pacient është në luftë të përditshme për mbijetesë edhe për një ditë tjetër.
Nevojitet llogaridhënie institucionale, marrje përgjegjësisë nga ana e titullarëve apo drejtuesve respektiv dhe kësisoj përmirësim i shërbimit për pacientët.
Raporti ka realizuar një auditim të plotë përfundimtar, për institucionin e politikbërjes qendrore Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e duke vazhduar me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, thotë kërkesa e PD. m.p.
