Kryetari i burgosur i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar hetime për ato që ai thotë se janë 38 milionë eurot e grabitura nga programi i Bashkimit Europian – IPARD-, se në vend që të shkonin si ndihmë për fermerët, përfunduan në xhepat e korrupsionit të klientëve të pushtetit.
“Sikur të mos mjaftonte fakti që Bujqësia është sot jo vetëm sektori më i nënfinancuar, por edhe më i diskriminuar, çdo vit fermerët shqiptarë humbin 112 milionë euro fonde ndihme nga Bashkimi Europian, sepse për Qeverinë vjedhja e buxhetit të shtetit nuk mjafton më.
Prandaj hetimi i abuzimit me fondet IPARD është një emergjencë kombëtare, për të ndalur shpopullimin, për të shpëtuar Bujqësinë nga falimenti nëpërmjet zhbllokimit të fondeve të BE dhe për t’i rikthyer dinjitetin fermerit shqiptar”, shkruan Ilir Meta.
Në vitin 2024, Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Sipas njoftimit për shtyp të OLAF, hetimi i tyre zbuloi se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit te kompani konsulence “të parapërzgjedhura” të cilat lehtësonin realizimin e kontratave me Agjencinë Shqiptare për Zhvillim Rural (ARDA), e cila shpërndante fondet.
Shërdorimi i fondave raportohet të ketë ndodhur gjatë kohës që në krye të AZHBR ka qenë Frida Krifca, por edhe gjatë kohës që kjo e fundit u largua dhe u emërua Ministre e Bujqësisë, që megjithatë kishte sërish në varësi Agjencinë. m.p.
