Pas humbjes me Poloninë, e cila dogji mundësinë për tu kualifikuar në Botëror, Shqipëria zbret sot në fushë, për miqësoren me Ukrainën.
Kuqezinjtë synojnë të rikthehen te fitorja, për të hedhur pas krahëve momentin e vështirë. Ndonëse do të jetë vetëm një miqësore, trajneri SIlvinjo ka kërkuar përqendrim maksimal nga ekipi.
Mbrojtësi Ardian Ismajli ka humbur këtë duel, për shkak të një shqetësimi muskulor në muskujt e kofshës së majtë. Pas konsultave me stafin mjekësor u konkludua se Ismajli nuk mund të rikuperohet për ndeshjen e sotme dhe do të mungojë në miqësoren me Ukrainën.
Jasir Asani ka lënë pas problemet fizike dhe është rikthyer me grupin, duke zhvilluar stërvitje të plotë dhe është gati për këtë duel.
Kjo do të jetë ndeshja e fundit për Kombëtaren shqiptare për pauzën e marsit, ku synimi ishte kualifikimi historik në Botëror, që nuk u arrit.
Ndeshja Ukrainë-Shqipëri, do të luhet mbrëmjen e kësaj të marte, duke nisur nga ora 20:45./kb
