Sot, mbushet plot një vit nga ngjarja makabër e regjistruar pranë shkollës “Fan Noli’”, ku 14-vjeçarit Martin Cani iu prenë ëndrrat në mes nga thika e bashkëmoshatarit të tij, Mario Përlleshaj.
Në këtë ditë, familjarët e të voglit dhe qytetarë të shumtë do të mblidhen para ambienteve të shkollës. Ndryshe nga sa kishin menduar, ata nuk do të lejohen të vendosin një stol në shenjë kujtimi për Martinin e vogël i cili u vra tragjikisht mesditën e 18 nëntorit të vitit të kaluar.
Burime për mediat bëjnë me dije se drejtuesit e shkollës “Fan Noli” kanë refuzuar të bashkëpunojnë, duke mos u dhënë leje për vendosjen e stolit dhe “pasuar” përgjegjësinë nga njëri institucion tek tjetri.
Stoli që ishte menduar të vendosej te shkolla
Për këtë arsye ata do të kërkojnë sot një përgjigje se përse po refuzohet një veprim i tillë kaq modest dhe simbolik si dhe do të kërkojnë më tepër siguri nëpër shkolla, me qëllim për të shmangur tragjedi të tilla në të ardhmen.
Mesditën e 18 nëntorit të vitit të kaluar, pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, një konfortim fizik mes disa të rinjve përfundoi në një tragjedi.
Vogëlushi 14-vjeçar, Martin Cani, u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshtari i tij Mario Përlleshaj, ndërkohë që mbylli sytë përgjithmonë në spital pasi fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetonte plagës së marrë.
Një ditë më parë Organi i akuzës në Tiranë kërkoi 25 vite burg për Mario Përlleshajn, autorin 14 vjeçar të vrasjes me thikë të Martin Canit.
Aktualisht, Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë, ku u transferua menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur me 18 Nëntor 2024 në kryeqytet. Kur është bërë një vit nga ngjarja, Prokuroria e Tiranës ka dërguar dosjen për gjykim dhe ka shpallur pretencën.
14 vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave”.
Pavarësisht kërkesës për 25 vite burg, prokurorja Alma Felaj është shprehur se Kodi Penal për të miturit kufizon dënimin maksimal në 12 vite, që do të thotë se gjykata mund të vendosë një dënim shumë më të ulët për shkak të moshës së autorit.
Në seancën e radhës pritet të paraqiten konkluzionet e mbrojtjes dhe qëndrimi i familjarëve të viktimës./ K.M
