Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se nëse Sali Berisha do të rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 majit, atëherë kryeministri Edi Rama do të korrë fitore të thellë në zgjedhjet e vitit 2029.
Në një lidhje live për emisionin ‘Studio Live’, Spahiu tha se zgjedhjet që do të zhvillohen për kreun e PD-së janë të rëndësishme, pasi sipas tij, aty do të vendoset nëse në vitin 2029 do të ketë rotacion politik apo jo.
“Zgjedhjet për kryetar të PD-së sot janë shumë të rëndësishme, sepse prej zgjedhjes së kryetarit të opozitës varen zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Dhe pyetja 1 milionë sot është që zgjedhja e Berishës kryetar sjell rotacionin e parë politik në 2029-ën, apo i garanton mandatin e pestë Edi Ramës. Sigurisht që për shumë demokratë, duan ta shohin përjetësisht Sali Berishën në krye të partisë. Por një pjesë e madhe e popullsisë, që mund të përbëjë si votues ndryshimin politik në Shqipëri, sepse që të vish në pushtet dhe të rrëzosh partinë në pushtet, të duhen të paktën 51% e votave të elektoratit. Pra duhen mbi 1 milionë shqiptarë me të drejtë vote, që të votojnë për opozitën, për kandidatin për kryeministër të opozitës, që të vijë ndryshimi politik. Zgjedhja e Berishës si kryetar, e çon drejt një fitore në 2029-ën Edi Ramën. Dhe do të presë shpresat e shqiptarëve për rotacion pas 3 viteve. Dhe për këtë arsye debati sot mbahet gjallë. Nuk bëhet fjalë për zgjedhjet në një parti të zakonshme, por për zgjedhjet në një nga 2 parti që kanë qeverisur Shqipërinë në këto 4 dekada”, tha mes të tjerash Spahiu.
Kujtojmë se në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, që do të zhvillohen në 23 maj, Sali Berisha do të garojë i vetëm, pasi skualifikoi të gjithë pretendentët e tjerë për kandidatë./et
