Në Kinema Millenium në Tiranë u mbajt premiera e filmit “The Devil Wears Prada 2”, një rikthim i shumëpritur pas 20 vitesh i një historie që ka në qendër botën e modës, pushtetin dhe estetikën e detajit. Atmosfera e mbrëmjes u shoqërua nga prania e figurave të njohura të ekranit dhe medias shqiptare, të cilat ndanë përshtypjet e tyre për filmin dhe rëndësinë e modës në jetën e përditshme.
The Devil Wears Prada 2 u prezantua si një vazhdim që ngre pyetje mbi transformimin e medias tradicionale, veçanërisht revistave të modës, në epokën dixhitale. Kurioziteti kryesor i të ftuarve lidhej me mënyrën se si filmi trajton sfidën e bashkëjetesës mes mediave klasike dhe atyre moderne.
Aktorja Monika Lubonja u shfaq në tapetin e kuq me një stil të kuruar në të kuqe dhe të zezë, duke theksuar lidhjen e saj të fortë me modën:
“Jam shumë e lidhur me modën. E ndjek shumë. E përshtas çdo gjë me veten time… dua të jem gjithmonë me kohën dhe ngjyrat.”
Ajo shprehu gjithashtu pritshmëri të larta për filmin, duke veçuar edhe praninë e Meryl Streep si një element që, sipas saj, garanton cilësi.
Drejoresha e Revistës Bordo dhe autorja Ilda Lumani ndau një këndvështrim më kritik, duke u ndalur te evolucioni i medias së modës:
“Kurioziteti im është si është trajtuar kapërcimi i revistës Vogue dhe bashkëjetesa e saj me median dixhitale.”
Ajo theksoi se moda mbetet një formë prezantimi dhe identiteti shoqëror, duke ndikuar në mënyrën se si individët krijojnë impaktin e parë.
Në mbrëmje u panë edhe reflektime personale mbi stilin. Një nga të ftuarat tregoi kombinimin e saj të veshjes me pantallona silk dhe bluzë transparente, duke theksuar elementin e elegancës dhe thjeshtësisë, ndërsa një tjetër e përshkroi stilin e saj si miks të markave të njohura ndërkombëtare dhe dizajnerëve lokalë.
Një moment i veçantë ishte edhe deklarata e ish-konkurrentes së Ferma Vip, Dj Fairfax e cila e identifikon veten me personazhin e Mirandës, duke e përshkruar atë si “sassy” dhe të fortë në karakter, por duke theksuar njëkohësisht rrugëtimin personal në media dhe televizion.
E pyetur mbi përshtypjet pas daljes nga reality show, Fairfax u shpreh se: “Nuk e prisja që të kisha kaq shumë vëmendje. Jam shumë falenderuese që njerëzit më kanë pëlqyer të them të drejtën sepse unë kam qenë vetvetja dhe të mins që më kanë pëlqyer për njeriun që unë jam.”
Premiera në Kinema Millennium solli jo vetëm rikthimin e një historie ikonike të modës, por edhe një diskutim të gjallë mbi rolin e stilit, identitetit dhe transformimit të medias në kohët moderne.
Mbrëmja u mbyll mes kuriozitetit të publikut nëse vazhdimi i ri do të arrijë të ruajë magjinë e origjinalit dhe ndikimin kulturor që ai ka pasur ndër vite./mxh
