Last Updated on 27/11/2025 by MB
Juristi Kreshnik Spahiu, teksa ka komentuar funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, tha se sot nuk ka asnjë prokuror që të ketë denoncuar publikisht se ka presion politik.
Në një lidhje skype për emisionin ‘Frontline’ në Report Tv, juristi theksoi se është sukses që nuk ka pasur raste publike ku politika të ketë ushtruar presion ndaj prokurorëve apo gjyqtarëve përmes largimeve nga puna të familjarëve të tyre, një praktikë që në të shkuarën sipas tij ka ekzistuar.
Megjithatë, sipas Spahiut, fenomeni më shqetësues mbetet fakti që shtimi i procedimeve penale dhe arrestimeve nuk ka sjellë ulje të korrupsionit, por sipas tij ka sjellë shtim.
‘Sot s’kemi një prokuror që të thotë kam presion për këtë çështje dhe ky është jo sukses por revolucion. Për 100 çështje pushtetarësh s’ka dalë që të thotë një prokuror që ka presion. Pra të thuhet që filan politikan i bërë këtë presion një prokurori për këtë gjë. Pra unë këtë deri më sot nuk di ndonjë rast. Deri më sot s’kemi një prokuror as një gjyqtar që qeveria t’i ketë hequr një familjarë nga puna. Presionet janë të mëdha, në një farë mënyrë por ajo që dua të them është se s’ka një presion për të shkarkuar.
Pjesa negative është se ka 3 standarde PS thotë s’do bëhem studio avokative për asnjë person dhe pastaj bëhet gjykatë dhe prokurori. Dhe kjo është e dukshme në raste të tjera. Problemi tjetër i PS është një rast i paprecedentë, sepse ne kemi 30 vite që kemi thënë ndëshkueshmëria do luftojë korrupsionin dhe tani po shohim që sa më shumë po ndëshkohen jo që s’po pakësohet korrupsioni por është shtuar edhe më shumë. Ky është problem shqiptar’, tha ai. m.p.
