SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 33 anëtarë të organizatës kriminale të njohur si grupi “Çopja”, i drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Grupi akuzohet për vrasje me pagesë, trafik ndërkombëtar kokaine, pastrim parash dhe korrupsion në drejtësi e polici.
Në dosje përfshihen funksionarë të policisë dhe drejtësisë, përfshirë ish-gjyqtare në Elbasan (Pajtime Fetahu) dhe punonjës të policisë në Durrës e Elbasan, që ndihmonin grupin për mbrojtje dhe informacione operative. Hetimet zbuluan se paratë e drogës investoheshin në pasuri të paluajtshme dhe biznese në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Grupi dyshohet për një seri vrasjesh dhe atentatesh të bujshme të kryera pas vitit 2018, si dhe për grabitjen e armatosur në pistën e Rinasit në vitin 2019. Janë sekuestruar dhjetëra pasuri dhe llogari bankare në kuadër të këtij hetimi. m.p.
