Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut.
“Në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut u riafirmua një lidhje e fortë midis Shqipërisë dhe Europës përmes dijes dhe diplomacisë.”, shkruan ministrja.
Spiropali u prit nga zv.presidentja e LMU-së për Humanitetet, Carola Metzner-Nebelsick, dhe drejtuesja e katedrës, Enkeleida Kapia, anëtarë të dekanatit, profesorë, studentë e alumni.
Ata diskutuan për rëndësinë historike, akademike dhe politike të kësaj katedre qysh prej themelimit të saj, pothuajse 60 vite më parë, nën drejtimin e Martin Camaj, me mbështetjen e shtetit bavarez ndër dekada, tanimë edhe me mbështetjen e kryeministrit Rama dhe shtetit shqiptar.
Sipas saj, kjo katedër ka qenë dhe mbetet një pikë referimi për studimin e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën europiane, si dhe “një dëshmi se rrugëtimi ynë europian është ndërtuar jo vetëm përmes politikës, por mbi themele të forta identitare, akademike e kulturore.”/kb
