Last Updated on 11/11/2025 by Leonard
Nga Leonard Veizi
Pak ditë më parë, Rusia publikoi një njoftim që në çdo kohë tjetër do të dukej si një skenar filmi spiunazhi. Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) deklaroi se kishte penguar një komplot të përbashkët nga agjentë ukrainas dhe britanikë, të cilët kishin synuar të bindnin një pilot rus që të vidhte një avion luftarak MiG-31, të armatosur me raketën hipersonike Kinzhal.
Sipas FSB-së, pilotit rus i ishte premtuar një shpërblim prej 3 milionë dollarësh, nëse do të arrinte ta fluturonte avionin drejt një baze ajrore të NATO-s në Konstanca të Rumanisë.
Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar burime nga FSB-ja, raportoi se plani përfundimtar ishte që aeroplani të rrëzohej nga sistemet e mbrojtjes ajrore menjëherë pas hyrjes në hapësirën e NATO-s, për të fshehur gjurmët e operacionit.
Një pretendim që ngjan më shumë me një rikthim në skenat e Luftës së Ftohtë sesa me një ngjarje të shekullit XXI. Por në thelb, ai ringjall kujtimin e një kohe kur spiunitazhi ajror ishte fusha më sekrete e garës teknologjike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Industria sovjetike dhe obsesioni perëndimor
Që nga vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, industria sovjetike e avionëve ishte një nga fushat më të mbyllura dhe më të ruajtura të Bashkimit Sovjetik. Çdo model i ri që dilte nga laboratorët e Mikojan-Gureviçit (MiG) apo Sukhoit përbënte një objekt të menjëhershëm spiunazhi për CIA-n dhe MI6-ën. Për Perëndimin, çdo avion sovjetik ishte më shumë se një makinë fluturimi: ishte një simbol i fuqisë industriale të Kremlinit dhe një mister që duhej zbuluar me çdo kusht.
Në dekadat e Luftës së Ftohtë, spiunazhi ajror u kthye në një degë të pavarur të shërbimeve sekrete. Nga misionet e fshehta të avionëve U-2 që fotografonin bazat sovjetike në lartësi të paarritshme, deri te rrëmbimet apo dezertimet e pilotëve lindorë, çdo copë metal, çdo plan teknik kishte peshë strategjike.
Një prej episodeve më të bujshme ishte dezertimi i pilotit Viktor Belenko në vitin 1976, i cili fluturoi MiG-25-in e tij drejt Japonisë, duke zbuluar për herë të parë sekretet e një prej avionëve më të frikshëm të kohës. Ishte momenti kur teknologjia lindore u përplas drejtpërdrejt me imagjinatën perëndimore.
Nga realiteti në mit
Pikërisht nga kjo atmosferë e tensionuar lindi romani “Zjarri i Djallit” (Firefox) i shkrimtarit britanik Kreg Tomas, botuar në vitin 1977. Libri rrëfente historinë e një operacioni sekret të CIA-s dhe MI6-ës për të vjedhur një avion luftarak sovjetik të gjeneratës së re – të aftë për fluturim hipersonik me shpejtësi Mach 6, të padukshëm për radarët dhe të pajisur me armë që kontrolloheshin nga mendimi njerëzor.
Personazhi kryesor, Mitçëll Gant, një pilot amerikan i traumatizuar nga lufta e Vietnamit, duhej të depërtonte fshehurazi në territorin sovjetik dhe ta kthente avionin në duart e amerikanëve.
Kur romani u përshtat në film nga Klint Istvudi në vitin 1982, “Firefox” u bë një ikonë e kinemasë së Luftës së Ftohtë, duke mishëruar frikën dhe magjepsjen perëndimore ndaj teknologjisë së Moskës. Hollivudi e mitizoi këtë duel teknik si një përballje nderi, ku pilotët nuk përfaqësonin më thjesht ushtri, por sisteme e ideologji. Filma si “Top Gan” e Tom Kruz e ushqyen këtë imagjinatë – atë të “qiellit si fushë beteje” ku fitorja e teknologjisë ishte baras me fitoren e vlerave.
Një “déjà vu” historike
Sot, më shumë se katër dekada pas “Firefox”-it, historia duket se përsëritet. Rusia, e përfshirë në një konflikt të gjatë me Ukrainën dhe në një konfrontim të hapur me Perëndimin, po ringjall të njëjtën logjikë të Luftës së Ftohtë: çdo ngjarje, çdo informacion, çdo pretendim bëhet armë propagandistike.
Dhe ndonëse dikur pilotët fluturonin me rrezikun e jetës për të rrëmbyer avionë armiku, sot betejat zhvillohen në qiellin dixhital – me dronë, satelitë spiunë dhe hakerë që depërtojnë në sistemet ajrore pa u ngritur nga toka.
Nga qielli në imagjinatë
Epoka e spiunazhit ajror nuk ka marrë fund; ajo thjesht ka ndryshuar formë. Nga duelat e avionëve supersonikë kemi kaluar në luftëra informacioni, por miti i “avionit të paarritshëm” mbetet po aq i gjallë. Ai përfaqëson etjen e njeriut modern për të zotëruar teknologjinë, dhe frikën e përhershme se tjetri mund ta zotërojë më parë.
Në fund të fundit, nën çdo njoftim për një MiG të ri, një “Stealth” të ri apo një dron të padukshëm, qëndron e njëjta pyetje që e ka ndjekur njerëzimin që nga Lufta e Ftohtë: kush kontrollon qiellin, kontrollon botën.
