Last Updated on 28/05/2026 by Monika
Skuadra e Sopotit të Librazhdit pritet të zhvillojë shumë shpejt një ndeshje miqësore ndërkombëtare me ekipin e Lublinit në Librazhd, në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Polonisë në fushën e sportit dhe promovimit të marrëdhënieve mes komuniteteve.
Lajmi është diskutuar gjatë vizitës që Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, po zhvillon prej dy ditësh në Poloni, ku ka marrë pjesë në takime dhe forume ndërkombëtare të fokusuar te turizmi, sporti dhe zhvillimi rajonal.

Gjatë qëndrimit në Lublin, Disha zhvilloi një takim me Marta Wojtowicz, zv.drejtoreshë e Qendrës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, si dhe me Iwo Weremko, presidentin e ekipit të futbollit të Lublinit. Në fokus të bisedimeve kanë qenë mundësitë për partneritete konkrete mes dy qyteteve, si dhe roli i sportit në afrimin e komuniteteve dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.

Takimi miqësor mes Sopotit dhe ekipit polak pritet të zhvillohet në Librazhd dhe shihet si një hap simbolik në forcimin e lidhjeve sportive dhe kulturore mes dy vendeve.
Ndërkohë veç këtij lajmi, në një status në Facebook, Disha veçon diskutimet për turizmin dhe përfshirjen e të rinjve në disa nisma.
_”Gjatë këtij forumi u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në tema me rëndësi për zhvillimin rajonal dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ku turizmi u vlerësua si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe afrimin mes vendeve tona. Një moment i veçantë ishte pranimi i anëtarëve të rinj në Rrjetin Universitar të Tre Deteve, ku u mirëpritën Shqiperia, Spanja dhe Turqia, duke forcuar më tej bashkëpunimin akademik dhe shkencor në rajon.Në fokus të diskutimeve ishte edhe promovimi i rajoneve përmes sportit si investim për të ardhmen, fuqizimi i rolit të grave në ekonomi dhe biznes, si dhe rëndësia e Three Seas Initiative si një ekosistem teknologjik dhe inovativ për vendet pjesëmarrëse”, shkruan Disha._
Kryebashkiaku i Librazhdit mori pjesë në aktivitetet e formatit “Three Seas Initiative”, ku u diskutuan tema që lidhen me zhvillimin ekonomik, turizmin, sportin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Një nga temat kryesore ishte promovimi i rajoneve përmes sportit dhe investimi tek të rinjtë si një mundësi zhvillimi për komunitetet./mxh
