Last Updated on 17/11/2026 by EL
Gjykata e Apelit në Tiranë ka shpallur të pafajshëm Armando Ndrecën, vëllanë e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca, i dënuar në shkallën e parë me 4 vjet e 4 muaj burg për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike. Për dy të pandehurit e tjerë, Elvis Shpellzajn dhe Armel Nikdukajn, Apeli la në fuqi dënimet me nga 6 vjet e 8 muaj burg.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Lutfije Celami, Qemal Zaimi dhe Taulant Banushi.
Për dy të pandehurit e tjerë, Elvis Shpellzajn dhe Armel Nikdukajn, Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lezhës, që i dënoi me nga 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Të tre u arrestuan në prill të vitit 2024 nga Policia e Lezhës, pas zbulimit të një stani të përshtatur për kultivimin e kanabisit në zonën e Kashnjetit. Në atë ambient u sekuestruan 2 973 bimë narkotike, përfshirë fidanë të gatshëm për t’u mbjellë në tokë, një sasi kanabisi, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera të përdorura për kultivim dhe tre telefona celularë./et
