Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se qeveria e tij do të sjellë në parlament legjislacionin që synon afrimin e Mbretërisë së Bashkuar me rregullat e Bashkimit Evropian, në disa fusha kyçe.
Duke folur të hënën, Starmer theksoi se çdo ndryshim ligjor do t’i nënshtrohet votimit në parlament, duke shtuar se në një botë të paqëndrueshme, është në interesin kombëtar të Britanisë që të ketë marrëdhënie më të ngushta me Evropën, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, sigurisë, energjisë dhe ekonomisë.
Ai u shpreh se afrimi me rregullat e BE-së mund të ndihmojë në uljen e barrierave tregtare dhe në lehtësimin e biznesit, gjë që sipas tij do të ndikojë edhe në uljen e çmimeve për konsumatorët, përfshirë produktet ushqimore.
Starmer theksoi gjithashtu se qeveria nuk synon rikthimin e Britanisë në tregun e përbashkët evropian, i cili përfshin lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.
Ndërkohë, burime qeveritare sqaruan se disa elemente të marrëveshjeve me BE-në, si standardet ushqimore dhe rregullat për emetimet, mund të ndryshojnë me kalimin e kohës për t’u përafruar me rregullat evropiane, përmes procedurave të legjislacionit dytësor.
Deklaratat e Starmer kanë ngjallur reagime të ndryshme në Britani, veçanërisht nga mbështetësit e Brexit-it, të cilët kritikojnë çdo hap që shihet si afrimi i sërishëm me Bashkimin Evropian./mxh
