Last Updated on 22/06/2026 by Anisa
I vetmuar, i braktisur dhe tashmë në fundin e rrugëtimit të tij, Keir Starmer vendosi të largohet duke u përgatitur t’ia lërë postin e kryeministrit Andy Burnhamit.
Pa mundur t`i fshehë emocionet, në një fjalim përpara Doëning Street, Starmer, mbrojti punën e bërë për “ringritjen e një partie të dështuar politikisht, financiarisht dhe moralisht”, por shtoi: “Pyetja që partia ime po bën tani është nëse unë jam personi i duhur për ta udhëhequr drejt zgjedhjeve të ardhshme.
Vendimi im është të vendos vendin në radhë të parë. Për këtë arsye jap dorëheqjen. Këtë mëngjes kam biseduar me Madhërinë e Tij, që e ka pranuar dorëheqjen time.”
Kreu i qeverisë britanike e kaloi fundjavën i izoluar, duke shpresuar se do të mund t’i rezistonte presionit. Por në fund iu desh të pranonte realitetin: edhe ministrat më besnikë i kishin kërkuar të caktonte një kalendar për largimin e tij dhe transferimin e pushtetit te Burnham, proces ky që mund të përfundojë në shtator.
Burnham, kryebashkiak i Mançesterit përgatitet tani të kthehet në kryeministrin e shtatë britanik që nga vota për Brexit-in. Si për ironi, përvjetori i dhjetë i atij referendumi është pikërisht nesër. David Cameron e dha dorëheqjen menjëherë pas rezultatit të referendumit që u mbajt 23 qershorin e 2016-tës. Pas tij u larguan me radhë në të njëjtën mënyrë Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss, Rishi Sunak dhe tani, Keir Starmer, i cili kishte hyrë në Doëning Street pak më shumë se dy vjet më parë, me një shumicë dërrmuese prej dy të tretash të vendeve në Parlament, kujton Corriere della Sera, por shpejt u shndërrua në kryeministrin ndoshta më pak popullor të historisë moderne britanike, madje më jopopullor se Boris Johnson apo Liz Truss, e cila në vetëm shtatë javë e çoi Britaninë në prag të krizës financiare.
“Nuk e kuptoj politikën”, kishte pranuar dikur ai- një deklaratë jo fort inkurajuese për dikë që synon të qeverisë një vend, sipas ekspertëve. Në thelb, Starmer mbeti gjithmonë ai që kishte qenë: një avokat dhe ish-prokuror i përgjithshëm, i mësuar me ligjin dhe procedurat, por jo me manovrat, intrigat dhe betejat ideologjike të Westminsterit./ad
