Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, paralajmëroi për hartimin e një strategjie për të mbrojtur shtetet kandidate nga ndikimi i jashtëm, kërcënimet hibride, manipulimin e informacionit dhe dezinformimin, sidomos gjatë zgjedhjeve.
Sipas Kos, bëhet fjalë për një qendër për Rezistencë Demokratike, që do të mbulojë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të nisë funksionin në fillim të vitit 2027.
Kos theksoi se aktualisht platforma e kësaj qendre është duke u hartuar dhe do të diskutohet në nivel politik më datë 4 shtator.
“Shtetet kandidate po sulmohen thjesht sepse kanë zgjedhur integrimin në BE dhe demokracinë. Atyre po u ofrohet ndërtimi i kapaciteteve për të përforcuar qëndrueshmërinë e tyre ndaj kërcënimeve hibride, duke përfshirë manipulimin e informacionit. Ne punojmë për lançimin në fillim të vitit 2027 të një qendre për Rezistencë Demokratike që mbulon gjashtë shtetet ballkanike, nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale në proceset zgjedhore e deri te fushatat politike, siguria dhe integriteti i zgjedhjeve. Aktualisht është duke u hartuar platforma e kësaj qendre, që do të diskutohet në nivel politik më 4 shtator në takimin e kryediplomatëve nga BE-ja dhe vendet kandidate”,-u shpreh Kos./mxh
