Vetmia është kthyer në një shqetësim global të shëndetit, pasi lidhet me një sërë pasojash negative për mirëqenien fizike dhe mendore. Depresioni, ankthi, shëndeti i dobët dhe madje edhe rreziku më i lartë i vdekjes së parakohshme janë ndër problemet që janë lidhur me vetminë.
Pikërisht për këtë arsye, vitet e fundit është folur gjithnjë e më shumë për mënyrat se si mund të luftohet ajo. Por ndërsa zgjidhja më e zakonshme duket e thjeshtë, të takosh miq, familjarë ose të krijosh lidhje të reja, një studim i ri sugjeron se jo çdo mënyrë për t’u përballur me vetminë duhet të jetë sociale.
Ndonjëherë, të rrish vetëm mund të të ndihmojë
Një studim i publikuar në vitin 2026 në Frontiers in Psychiatry analizoi të dhënat e 18,352 personave, të moshave 16 deri në 99 vjeç, për të kuptuar se çfarë bëjnë njerëzit kur ndihen të vetmuar dhe cilat strategji i konsiderojnë më të dobishme.
Studiuesit analizuan dy databaza të mëdha, BBC Loneliness Experiment dhe EU Loneliness Survey, duke parë mënyrat që njerëzit zgjidhnin vetë për të menaxhuar ndjenjën e vetmisë.
Të kalosh kohë me njerëzit e dashur dhe të forcosh marrëdhëniet ekzistuese me miqtë dhe familjarët ishin ndër strategjitë më të përdorura. Por krahas tyre, shumë njerëz zgjidhnin edhe aktivitete që bëheshin vetëm: të merreshin me një hobi, të studionin, të punonin, të merreshin me sport ose thjesht t’i jepnin vetes kohë.
Pra, vetmia nuk duket se ka vetëm një përgjigje dhe, çuditërisht, ajo nuk është gjithmonë “duhet të dalësh dhe të takosh njerëz”.
Nuk ekziston një formulë e vetme për vetminë
Studiuesit sugjerojnë që mënyra më e mirë për ta parë këtë problem është të mendojmë për një lloj “kutie mjetesh” kundër vetmisë, ku secili person ka strategji të ndryshme që mund t’i përdorë në varësi të momentit.
Për dikë, kjo mund të jetë një kafe me një mik. Për dikë tjetër, mund të jetë leximi i një libri në shtëpi, një shëtitje vetëm ose angazhimi me një aktivitet që i jep kuptim.
Edhe mosha duket se luan rol. Të rinjtë kishin më shumë gjasa të raportonin se kërkonin terapinë, takonin njerëzit e dashur dhe i kushtonin kohë vetes. Ata gjithashtu e konsideronin më të dobishme të flisnin me familjarët e miqtë dhe të reflektonin mbi arsyen pse ndiheshin të vetmuar.
Të rriturit më të mëdhenj në moshë, nga ana tjetër, kishin më pak gjasa të kërkonin terapi dhe më shumë gjasa të njihnin fqinjët ose të angazhoheshin në aktivitete që i shpërqendronin.
Edhe mënyra si e përjetojmë vetminë ndryshon
Studimi gjeti gjithashtu ndryshime mes burrave dhe grave. Burrat kishin më shumë gjasa të raportonin përdorimin e aktiviteteve si anëtarësimi në klube ose sportet në grup për t’u përballur me vetminë.
Gratë, ndërkohë, e konsideronin më të dobishme një gamë më të gjerë strategjish, përfshirë terapinë, diskutimin e ndjenjave dhe aktivitetet sociale.
Kjo tregon se të jesh i rrethuar nga njerëz nuk do të thotë automatikisht se nuk do të ndihesh vetëm. Cilësia e marrëdhënieve mund të jetë po aq, nëse jo më e rëndësishme, sesa numri i njerëzve që kemi pranë.
Ndoshta pyetja nuk është “Si ta luftojmë vetminë?”
Sipas studiuesve, në vend që të fokusohemi vetëm te ndërhyrjet që duhet t’u ofrohen njerëzve për të reduktuar vetminë, mund të jetë më e dobishme të pyesim: “Çfarë po bën tashmë ky person që po e ndihmon?”
Kjo qasje e vendos theksin te aftësia e individit për të gjetur mënyra që funksionojnë për të, në vend që të ekzistojë një zgjidhje universale.
Fundja, ndonjëherë ajo që na duhet kur ndihemi vetëm është një telefonatë me dikë që duam. Por herë të tjera mund të jetë një libër, një hobi, një shëtitje, një projekt personal ose thjesht pak kohë larg zhurmës.
Sepse të jesh vetëm dhe të ndihesh vetëm nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë./mxh
