Një zakon i përditshëm që shumë njerëz e bëjnë pa e menduar mund të ketë pasoja për shëndetin. Një studim i ri sugjeron se përdorimi i shpeshtë i enëve plastike për konsumimin e ushqimit mund të lidhet me rritjen e rrezikut për probleme serioze të zemrës.
Hulumtimi, i realizuar nga studiues kinezë dhe i publikuar në platformën shkencore ScienceDirect, analizoi lidhjen mes ekspozimit ndaj plastikës dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Studimi u zhvillua në dy faza: fillimisht u analizuan të dhënat e mbi 3 mijë personave për të parë sa shpesh përdornin enë plastike dhe nëse kishin probleme me zemrën. Më pas, studiuesit kryen eksperimente te minjtë duke i ekspozuar ndaj kimikateve që çlirohen nga plastika.
Sipas autorëve, personat që përdornin shpesh enë plastike kishin një lidhje të rëndësishme me rritjen e rrezikut për insuficiencë kongjestive të zemrës. Studiuesit dyshojnë se shkaku mund të lidhet me ndryshimet që plastika shkakton në mikrobiomën e zorrëve, duke nxitur procese inflamatore që mund të ndikojnë në sistemin e qarkullimit të gjakut.
Plastika përmban mijëra substanca kimike, ndër të cilat disa prej më shqetësueset janë BPA (bisfenol A), ftalatet dhe PFAS. Këto përbërje janë lidhur në studime të mëparshme me probleme të ndryshme shëndetësore, përfshirë çrregullime hormonale, probleme me fertilitetin dhe sëmundje kronike.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht ndikimin afatgjatë të ekspozimit ndaj plastikës. Ekspertët këshillojnë shmangien e ngrohjes së ushqimit në enë plastike, përdorimin e alternativave si qelqi ose qeramika dhe reduktimin sa më shumë të jetë e mundur të kontaktit të ushqimit të nxehtë me plastikën./ad
