Një situatë mjaft kritike e ka cilësuar meteorologia Tanja Porja, situatën meteorologjike në vend. Në Dita Jonë në A2 CNN, ajo paralajmëroi përkeqësim të motit me stuhi, erë të fortë, dhe reshje intensive në të gjithë territorin. Sipas saj reshjet më të dendura dhe rrebeshet do të jenë kryesisht në veri dhe qendër, duke zbritur në mbrëmje dhe gjatë ditës së nesërme në zonat jugore.
“Është një situatë mjaft kritike, është shumë dinamike atmosfera. Reshje më intensitet të lartë në veri, dhe në të gjithë territorin do të kemi reshje me intensitet mesatar. Stuhi mjaft të forta të erës kryesisht në gjysmën veriore të Shqipërisë, rrebeshet më të shumta në veri e zonat qendrore. Më të pakta në jug, ndërsa nga nesër në qendër e jug. Era e fortë jugore, stuhitë detare nuk do të mungojnë. Në mesditë përkeqësohet situata në të gjithë territorin, reshjet me intensitet të lartë në veri e qendër dhe mesatar në jug. Në mbrëmje intensiteti do të jetë mjaft i lartë në të gjithë territorin”.
Meteorologia këshillon qytetarët që në këto kushte të mos lëvizin pa arsye thelbësore pasi përveç reshjeve intensive do të ketë stuhi dhe rrufe.
Meteorologia paralajmëron gjithashtu reshje dëbore në fundjavë.“Fundjava sjell dëborë”./kb
