Qeveria suedeze ka ndaluar përdorimin e versioneve të ChatGPT dhe Claude përmes shfletuesit të internetit në kompjuterët e punës së punonjësve të saj. Vendimi hyri në fuqi të hënën, më 26 tetor, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë dhe përpunimin e të dhënave sensitive.
Punonjësit e qeverisë suedeze nuk mund të përdorin më versionet e ChatGPT, të zhvilluar nga OpenAI, dhe Claude, të zhvilluar nga Anthropic, përmes shfletuesit të internetit në kompjuterët e tyre të punës.
Vendimi vjen pas shqetësimeve lidhur me mënyrën se si këto platforma përpunojnë informacionin e ndjeshëm.
Masa u ndërmor pas një shqyrtimi të mjeteve të inteligjencës artificiale të përdorura nga punonjësit e Administratës Suedeze të Transportit në fillim të këtij viti. Vlerësimi evidentoi përdorime “problematike” të këtyre platformave gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Zyrtarët shprehën shqetësimin se futja e informacionit konfidencial në këto modele, pa një marrëveshje që përcakton mënyrën e mbrojtjes dhe të sigurisë së të dhënave, mund të çojë në përfshirjen e tyre në model dhe në ruajtjen e tyre për qëllime trajnimi.
Përdorimi i platformave që nuk rregullohen ose mbrohen nga marrëveshje të tilla, një praktikë e njohur si “shadow IT”, mund të sjellë “pasoja për sigurinë e informacionit”, deklaroi Mikael Wettercrantz, drejtor i digjitalizimit në Zyrat e Qeverisë së Suedisë.
Si alternativë, qeveria po rekomandon përdorimin e Copilot të Microsoft-it. Kjo platformë ka kaluar një proces verifikimi të sigurisë dhe mbulohet nga një marrëveshje sigurie mes kompanisë amerikane dhe qeverisë suedeze.
Megjithatë, vendimi nuk nënkupton ndalimin e përgjithshëm të inteligjencës artificiale në administratën publike. Punonjësit do të mund të vazhdojnë ta përdorin atë për të lehtësuar punën e tyre, por nën kontrolle më të rrepta sigurie.
Një numër i kufizuar punonjësish do të mund të vazhdojnë të përdorin ChatGPT dhe Claude, por vetëm përmes një platforme të posaçme për asistentët e inteligjencës artificiale, të zhvilluar nga autoritetet suedeze.
Sipas transmetuesit publik suedez Sveriges Radio, kufizime për përdorimin e ChatGPT dhe Claude janë vendosur gjithashtu në Agjencinë Suedeze të Taksave dhe në Bordin Kombëtar të Kujdesit Institucional. Ndërkohë, Autoriteti Suedez i Përmbarimit po shqyrton aktualisht të njëjtën çështje.
ChatGPT dhe Claude i shtohen kështu DeepSeek në listën e mjeteve të inteligjencës artificiale që nuk janë miratuar nga qeveria suedeze për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e të dhënave.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan ndalimin e të gjitha produkteve dhe shërbimeve të kompanisë kineze të inteligjencës artificiale DeepSeek./mxh
