Suedia mbetet pa një rrugë të qartë për formimin e qeverisë, megjithëse blloku i qendrës së majtë fitoi shumicën në zgjedhjet e këtij muaji.
Udhëheqësja e socialdemokratëve, Magdalena Andersson, njoftoi se në rrethanat aktuale nuk mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të marrë drejtimin e vendit.
Vendimi i saj erdhi pasi Partia e Majtë deklaroi gjatë fundjavës se do të mbështesë kandidatin e Partisë Moderatore rivale për kryetar të Parlamentit. Sipas Andersson, ky qëndrim ka cenuar përpjekjet e saj për të ndërtuar një qeveri.
Në zgjedhjet e 13 shtatorit, blloku i qendrës së majtë siguroi 176 vende në Parlament, vetëm tri më shumë se blloku i djathtë në pushtet, i drejtuar nga kryeministri Ulf Kristersson. Epërsia e ngushtë e bën vendimtare mbështetjen e partive brenda bllokut.
Andersson tha se do ta informojë kryetarin e Parlamentit se nuk mund të formojë qeverinë. Tani i takon atij të vendosë kujt do t’ia japë radhën për të kërkuar mbështetje parlamentare. Mandati mund t’i kalojë edhe Kristerssonit, megjithëse blloku i tij doli i dyti në zgjedhje./ad
