Të paktën 30 persona janë vrarë nga një sulm bandash në zonën e Kenscoff, pranë kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince. Kenscoff, është përballur me sulme të shpeshta të bandave gjatë viteve të fundit. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë raportuar vrasje masive, përdhunime, djegie të banesave dhe rrëmbime, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Organizata haitiane për të drejtat e njeriut (RNDDH) vlerësoi se nga sulmi gjatë natës, i cili nisi rreth orës 22:30 sipas kohës lokale, janë vrarë 30 deri në 40 persona dhe janë plagosur 15 deri në 20 të tjerë. Organizata paralajmëroi se bilanci mund të ndryshojë, pasi ende është e vështirë të përcaktohet numri i plotë i viktimave.
Zyra e kryeministrit të Haitit dënoi të hënën pasdite atë që e cilësoi si një “sulm të urryer”, duke deklaruar se të gjitha forcat e sigurisë janë vendosur në gatishmëri të lartë dhe se po dërgohen përforcime në zonë.
“Kenscoff nuk do të braktiset. Autoriteti i qeverisë do të rikthehet, pa dobësi dhe pa vonesë, në të gjithë Kenscoff-in”, thuhej në deklaratë.
Kenscoff ka një pozicion strategjik, pasi kontrollon rrugët që lidhin zonën me Pétion-Ville, ku ndodhen disa ambasada, hotele luksoze dhe selia e përkohshme e qeverisë, si dhe rrugët që lidhin kryeqytetin me pjesët jugore të vendit.
Mediat lokale raportuan se gjatë sulmit u dogjën disa banesa, mes tyre edhe shtëpia e Jean William Pape, një prej ekspertëve më të njohur të shëndetit publik në Haiti.
Sulmi ndodhi në një moment kur Forca e Mbështetjes për Luftën ndaj Bandave, e mbështetur nga OKB-ja, po përgatitet të arrijë kapacitetin e plotë prej më shumë se 5,500 trupash deri në vjeshtën e këtij viti. Misioni ka mandat të ndihmojë policinë haitiane në luftën kundër bandave dhe të zëvendësojë një forcë të mëparshme, e cila ishte përballur me mungesë fondesh dhe kapacitetesh. /mxh
