Last Updated on 26/11/2026 by EL
FIFA ka konfirmuar se është viktimë e një sulmi kibernetik, pasi një grup hakerash arriti të depërtonte në sistemet e saj duke u paraqitur si punonjës të organizatës. Autorët pretendojnë se kanë vjedhur më shumë se 12 GB të dhëna, ndërsa fillimisht tentuan të shantazhonin federatën përpara se të publikonin materialet e marra.
Pas konfirmimit të incidentit, FIFA bëri të ditur se ndërhyrja shkaktoi akses të paautorizuar në një sasi të kufizuar të dhënash personale dhe biznesi. Organizata njoftoi se po bashkëpunon me autoritetet ligjzbatuese për hetimin e rastit, ndërsa dënoi ashpër vjedhjen dhe publikimin e informacionit, veçanërisht të të dhënave personale.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi i hakerave “Handsome Boy Hacking Club” (HBHC), i cili më 19 nëntor publikoi në rrjetin social X një pamje të dokumenteve që pretendon se ka siguruar nga sistemet e federatës.
Sipas grupit, materiali i vjedhur kalon 12 GB dhe përfshin dokumente identifikimi dhe emigracioni, informacione për drejtuesit e organizatës, të dhëna financiare e ligjore, si dhe dokumente të brendshme që lidhen me administrimin dhe funksionimin e FIFA-s.
Një nga detajet e zbuluara gjatë hetimeve lidhet me mënyrën se si autorët arritën të depërtonin në sistemet e organizatës. Sipas burimeve brenda FIFA-s, hakerat siguruan akses duke u paraqitur si punonjës të saj dhe jo duke shfrytëzuar ndonjë defekt teknik apo dobësi të sistemeve informatike.
Megjithatë, përmasat e incidentit duket se janë më të kufizuara nga sa pretendojnë autorët. Burime të FIFA-s, të cilat kanë folur në kushte anonimiteti, bëjnë të ditur se të dhënat e prekura përbëjnë më pak se 0.1% të informacionit që zotëron organizata. Sipas tyre, në materialet e komprometuara nuk përfshihen as dokumentet që lidhen me projektin e braktisur “FIFA Forward Enterprise” (FFE).
Ende nuk është e qartë nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, apo sekretari i përgjithshëm Mattias Grafström kanë qenë objektiva të veçantë të ndërhyrjes. Sipas burimeve brenda organizatës, sulmi kishte në shënjestër vetë FIFA-n dhe jo drejtues të caktuar.
Ky incident vjen vetëm tre muaj pas një deklarate të federatës, në të cilën ajo paralajmëronte për përpjekje të vazhdueshme nga disa persona për të dëmtuar organizatën dhe presidentin e saj.
Ndërkohë, FIFA nuk është institucioni i vetëm i futbollit që është përballur me probleme të sigurisë kibernetike. Në fillim të këtij muaji, një person i paautorizuar arriti të hynte në njërën prej platformave dixhitale të La Liga-s. Ndërsa në korrik, Federata Argjentinase e Futbollit nisi një hetim për një sulm të mundshëm ndaj sistemeve të saj, pasi një numër i madh email-esh iu dërgua gazetarëve pas ndeshjes dramatike me Egjiptin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës./et
