Edhe pse Eurovisioni i këtij viti është përballur me polemika dhe bojkot nga pesë transmetues kombëtarë, superfanët izraelitë mbeten optimistë dhe të përkushtuar ndaj ngjarjes.
Aviv Ori Gal, një superfan 33-vjeçar, tha për Reuters: “Nuk kemi frikë, duam të kërcejmë, duam të argëtohemi. Pas dy vitesh të vështira me drama dhe balada, dërgojmë këtë vit një këngë të gëzuar, që tregon shpirtin izraelit për t’u rikthyer në jetë pas kohërave të vështira.”
Gal dhe bashkëshorti i tij, Jurij Vlasov, filmojnë reagimet e tyre ndaj Eurovisionit për YouTube nga apartamenti i tyre në Tel Aviv, duke komentuar performancat dhe duke shfaqur mbështetjen për Izraelin.
Ai shtoi se fansat e vërtetë të Eurovisionit dëshirojnë ta ndjekin konkursin pavarësisht polemikave politike, duke iu referuar vendimit të transmetuesve të Spanjës, Irlandës, Holandës, Islandës dhe Sllovenisë për të tërhequr pjesëmarrjen e tyre në shenjë proteste ndaj Izraelit. Megjithatë, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) konfirmoi se Izraeli do të marrë pjesë në edicionin e vitit 2026.
Izraeli ka qenë pjesë e Eurovisionit që nga viti 1973 dhe ka fituar katër herë, më së fundi me këngëtaren Netta Barzlai dhe këngën e saj “Toy” në 2018. Pas fitores së këngëtarit austriak JJ në 2025, Eurovisioni 2026 do të zhvillohet në Vjenë, ku Izraeli do të garojë fillimisht në gjysmëfinalen e 12 majit, me shpresën për të kaluar në finale më 16 maj.
Superfanët theksojnë se Eurovisioni nuk është vetëm një konkurs këngësh, por një hapësirë për të festuar, për të bashkuar njerëzit dhe për të harruar për pak kohë problemet e përditshme./mxh
