Alzheimeri dhe demenca janë sëmundje që të bëjnë të harrosh gjithçka dhe ku memoria e kalimit të kohës fshihet plotësisht. Vitet e fundit ato janë kthyer në sfida të mëdha, pasi gjithnjë e më shumë njerëz po preken prej tyre. Mirëpo ekziston një sindromë që është e kundërta e tyre dhe lidhet me një memorie jashtëzakonisht të zhvilluar.
Personat që vuajnë nga sindroma e hipermemorisë ose hipertimezisë dallohen për një kujtesë autobiografike të jashtëzakonshme, duke kujtuar çdo detaj, çdo ngjarje dhe çdo emocion të përjetuar në çdo ditë të jetës së tyre.
Në botë, aktualisht, janë të dokumentuar rreth 60 persona që kanë këtë superkujtesë, e cila për herë të parë u zbulua vetëm në vitin 2006.
Sipas mjekëve, këta persona kanë një raport obsesiv me kalendarët, ditarët, fotografitë, kronikat dhe artikujt, por çdo gjë tjetër është plotësisht normale në trurin e tyre.
Sipas vetë pacientëve që jetojnë me këtë sindromë, në disa raste kjo gjendje mund të sjellë avantazhe, por ekziston edhe ana tjetër e medaljes: ata janë të dënuar të kujtojnë çdo gjë, shpesh edhe kujtimet dhe emocionet e dhimbshme, si dhe situatat e sikletshme, të cilat mbeten të gjalla çdo ditë në mendjen e tyre.
