George Monbiot
Ata janë tashmë thellë në zonën vdekjeprurëse. Tre persona që mbahen në burg për akuza të lidhura me grupin protestues Palestine Action janë në grevë urie prej 45, 59 dhe 66 ditësh. Një e burgosur e katërt, Teuta Hoxha, e ndërpreu grevën këtë javë pas 58 ditësh. Ajo mund të vuajë pasoja shëndetësore të përjetshme. Grevistët që vazhdojnë – Heba Muraisi, Kamran Ahmed dhe Lewie Chiaramello – mund të vdesin në çdo moment. Dhjetë grevistët e urisë të IRA-s dhe INLA-s që vdiqën në vitin 1981 mbijetuan nga 46 deri në 73 ditë. Muraisi, greva e së cilës ka zgjatur më shumë, sipas mbështetësve, tani ka vështirësi në frymëmarrje dhe po vuan spazma të pakontrollueshme muskulore – shenja të mundshme të dëmtimit neurologjik. Megjithatë, qeveria refuzon të angazhohet.
Kjo situatë është krijuar prej saj. Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) thotë se koha maksimale që një i burgosur mund të qëndrojë në paraburgim është 182 ditë (gjashtë muaj). Por Muraisi dhe Ahmed u arrestuan në nëntor 2024 dhe nuk pritet të gjykohen para qershorit në rastin më të hershëm – çka do të thotë 20 muaj paraburgim. Chiaramello, i arrestuar në korrik 2025, ka një datë paraprake gjyqi në janar 2027 – 18 muaj burg pa gjyq.
Limboja e paraburgimit është shpesh shkatërruese për mirëqenien e të burgosurve. Të dhënat qeveritare tregojnë, për shembull, se shkalla e vetëvrasjeve te të paraburgosurit është më shumë se dyfish i asaj te të dënuarit. Periudha ekstreme paraburgimi si këto janë një fyerje ndaj drejtësisë.
Kjo është një pjesë e asaj që aktivistët e quajnë “procesi si ndëshkim”, një qasje që sot dominon trajtimin e grupeve protestuese. Edhe nëse nuk dënohesh kurrë për ndonjë krim, jeta jote shndërrohet në ferr nëse guxon të kundërshtosh hapur dhe publikisht.
Tre të burgosurit – dhe të tjerë të akuzuar për të njëjtat vepra – po mbahen nën “kushte terroriste”. Kjo do të thotë komunikime dhe vizita minimale. Ata janë ndaluar edhe nga punët në burg për “arsye sigurie”, u janë mohuar librat, gazetat, biblioteka dhe palestra, dhe janë vënë nën urdhra mos-shoqërimi. Në tetor, Muraisi u transferua papritur nga burgu HMP Bronzefield, 18 milje larg Londrës ku jeton familja e saj, në burgun New Hall në Yorkshire – shumë larg për t’u vizituar nga nëna e saj e sëmurë. Pas transferimit, iu tha se arsyeja ishte rreziku i shoqërimit me një tjetër të burgosur në të njëjtin repart në Bronzefield.
Megjithatë, asnjë nga grevistët e urisë nuk është akuzuar – e lëre më dënuar – për vepra terroriste. Ata janë akuzuar për vepra të zakonshme penale, si vjedhje me thyerje, dëmtim prone dhe prishje të rendit me dhunë. Muraisi dhe Ahmed akuzohen se kanë hyrë në një fabrikë të drejtuar nga Elbit Systems, prodhuesi më i madh izraelit i armëve, dhe kanë dëmtuar pajisje; ndërsa Chiaramello akuzohet se ka hyrë në bazën RAF Brize Norton gjatë një proteste ku aktivistët e Palestine Action spërkatën avionë ushtarakë me bojë. Këto ngjarje ndodhën përpara se Palestine Action të shpallej organizatë terroriste – një vendim tepër i diskutueshëm që po sfidohet në gjykatë dhe për të cilin pritet vendim së shpejti. Por harrojeni prezumimin e pafajësisë, harrojeni ndalimin e zbatimit prapaveprues të ligjit: sepse CPS thotë se ka një “lidhje me terrorizmin”, ata trajtohen sikur të ishin terroristë të dënuar.
Më 26 dhjetor, një grup raportuesish të Kombeve të Bashkuara – njerëz që dikur dëgjoheshin nga qeveritë – shprehën shqetësim të thellë për trajtimin e këtyre të burgosurve. Ata përmendën “vonesa të raportuara në aksesin në kujdes mjekësor, përdorim të tepruar të kufizimeve gjatë trajtimit spitalor, mohim të kontaktit me familjarët dhe avokatët, si dhe mungesë mbikëqyrjeje të pavarur mjekësore, veçanërisht për të paraburgosurit me gjendje serioze shëndetësore të mëparshme”. Ata ngritën “pyetje serioze” për përputhjen e qeverisë me të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, “përfshirë detyrimin për të mbrojtur jetën dhe për të parandaluar trajtimin mizor, çnjerëzor ose poshtërues”. Por sapo dikë e etiketon si terrorist, duket se mund t’i bësh pothuajse gjithçka dhe të shpëtosh pa pasoja. Heshtja e pothuajse të gjitha mediave për këtë çështje është tronditëse.
Qeveria mban përgjegjësi morale për këta të burgosur. Megjithatë, duket se nuk ka asnjë synim ta ushtrojë atë. Avokatë, deputetë dhe mjekë u janë lutur vazhdimisht ministrave të angazhohen. Ata refuzojnë prerazi, duke pretenduar se një angazhim i tillë do të “krijonte stimuj të gabuar që do të inkurajonin më shumë njerëz të rrezikonin veten përmes grevave të urisë”. Nuk ka asnjë provë për këtë dhe, duke pasur parasysh natyrën jashtëzakonisht të rrallë të këtij veprimi (greva më e madhe e koordinuar dhe e qëndrueshme e të burgosurve që nga ajo e IRA-s në 1981), kjo duket shumë pak e besueshme.
Qeveria ka kërkuar të krijojë përshtypjen se raste të tilla janë të zakonshme – “gjatë pesë viteve të fundit kemi pasur mesatarisht mbi 200 incidente grevash urie çdo vit” – prandaj nuk kërkohet ndonjë reagim i veçantë. Por ajo që duket se i referohet janë refuzime të shkurtra ushqimi nga individë të veçantë, një situatë krejt tjetër nga rreziku i menjëhershëm i vdekjes nga uria.
Më shumë se 800 profesionistë mjekësorë kanë nënshkruar tashmë një letër drejtuar sekretarit të drejtësisë, David Lammy, duke paralajmëruar se të burgosurit përballen me një “emergjencë mjekësore” që “po menaxhohet gabimisht”. Letra u shkrua më 27 nëntor. Qeveria ende nuk ka reaguar.
Në vend të kësaj, duket se tall situatën e grevistëve të urisë. Kur deputeti Jeremy Corbyn e pyeti ministrin e drejtësisë Jake Richards në parlament nëse do të takonte përfaqësuesit e tyre ligjorë për të zgjidhur situatën, Richards u përgjigj shkurt “Jo”, duke shkaktuar të qeshura në sallë. Në dhjetor, kryetari i Dhomës së Komuneve vërejti se mosreagimi i Lammy-t ndaj deputetëve që kërkonin një takim për këtë çështje ishte “krejtësisht i papranueshëm”. Por mosreagimi vazhdon.
Kërkesat e grevistëve të urisë më duken të arsyeshme: lirimi me kusht; e drejta për një gjykim të drejtë (ata pretendojnë se qeveria ka mbajtur dokumente kyçe); heqja e ndalimit ndaj Palestine Action; dhe mbyllja e Elbit Systems në Mbretërinë e Bashkuar, kompani që ka furnizuar me armë një shtet të përfshirë në gjenocid. Të gjitha këto, sipas mendimit tim, duhej të ndodhnin gjithsesi. Dhe, sigurisht, ato janë pozicione negociuese. Nëse të gjitha duhet të plotësohen që greva të përfundojë, nuk mund të dihet derisa qeveria të angazhohet. Refuzimi i saj për të folur mund t’i dënojë grevistët me vdekje.
Nuk duhet të jetë e nevojshme të rrezikosh jetën për të kërkuar trajtim të drejtë dhe vendime të drejta. Por kur të gjithë ata që janë në pushtet kanë pushuar së dëgjuari, mbeten shumë pak alternativa.
George Monbiot është kolumnist i gazetës The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
