Last Updated on 11/09/2026 by EL
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale lidhur me kompaninë shtetërore KAYO dhe mënyrën e funksionimit të saj.
Tabaku e cilësoi KAYO-n si “kumbarën e radhës të korrupsionit”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për vazhdimin e një modeli të nisur me inceneratorët, Korporatën e Investimeve, “rrugët e florinjta” dhe AKSHI-n.
Sipas deputetes demokrate, ky model dëshmon kapjen e shtetit dhe krijimin e një sistemi të mbyllur, i cili dëmton njëkohësisht ekonominë e lirë dhe demokracinë.
“Jashtë kontrollit të KLSH-së, por brenda kontrollit kryeministror. Jashtë garës së ekonomisë, por brenda tarafit të kryeministrit. Jashtë çdo transparence, por brenda rregullave që ka vendosur sistemi socialist”, u shpreh Tabaku.
Ajo deklaroi se KAYO ka krijuar katër kompani që, sipas saj, ndodhen jashtë kontrollit dhe auditimit të zakonshëm shtetëror, ndërsa raportojnë vetëm te kryeministri.
Tabaku i krahasoi këto struktura me “ishuj paligjshmërie” dhe “dhoma të errëta”, ku mungon transparenca për përdorimin e parave publike.
“Këto struktura marrin çdo muaj miliona euro nga buxheti, por qytetarët nuk dinë si shpenzohen dhe ku përfundojnë këto para”, deklaroi ajo, duke rikujtuar rastet e inceneratorëve, AKSHI-t dhe sektorit të shëndetësisë.
Në përfundim, Tabaku paralajmëroi se zgjerimi i këtij modeli rrezikon sektorë të tjerë jetikë të vendit.
“Sot është KAYO, nesër do të jetë shëndetësia. Ta harrojmë se mund të kemi demokraci funksionale nëse nuk kemi ekonomi të lirë”, përfundoi deputetja e PD-së./et
