Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për krizën e përballueshmërisë së banesave në Tiranë, duke deklaruar se sot një qytetari shqiptar i duhen mesatarisht 18.6 vite punë për të blerë një apartament në kryeqytet.
Në një reagim publik, Tabaku u shpreh se çmimet e apartamenteve janë bërë të papërballueshme për familjet shqiptare, ndërsa rritja e tyre nuk lidhet me faktorë normalë ekonomikë apo me rritje të kërkesës reale në treg.
Sipas saj, çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me 41.6% nga viti në vit, një ritëm që ajo e cilësoi si më të lartin jo vetëm në rajon, por edhe krahasuar me shumë vende të Bashkimit Europian.
“18.6 vite pa bërë asgjë tjetër, pa llogaritur jetesën, shpenzimet apo taksat që rriten çdo vit, vetëm për të kursyer dhe blerë një apartament. Kjo tregon se tregu është bërë i paarritshëm për qytetarët shqiptarë,” u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se kjo rritje nuk justifikohet nga zhvillimi ekonomik, nga rritja e popullsisë apo nga konkurrenca në treg, duke nënvizuar se Shqipëria po përjeton një “flluskë ndërtimi” që sipas saj lidhet drejtpërdrejt me pastrimin e parave.
“Ndërtimi është kthyer në një sektor me rritje fiktive, por të papërballueshme për qytetarët. Ekonomia mund të duket sikur rritet, por kjo rritje mbetet e përqendruar tek një pakicë, ndërsa shumica e shqiptarëve nuk kanë akses në të,” deklaroi Tabaku.
Ajo e cilësoi këtë situatë si shembull të “sistemit të pakicës”, ku sipas saj përfitimet ekonomike dhe fondet publike përqendrohen në duart e një grupi të vogël interesash, ndërsa qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta jetese dhe mungesë mundësie për të siguruar një banesë./A.D
