Last Updated on 09/04/2026 by Anisa
Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me sipërmarrësit, ku u ndal te zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit dhe pagave, si edhe roli i sektorit të ndërtimit në transformimin e vendit.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se sektori i ndërtimit po luan një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e punësimit dhe përmirësimin e pagave në këtë fushë.
Takimi u shoqërua edhe me batuta nga Rama, i cili iu drejtua sipërmarrësve me bindje të djathta politike duke thënë: “Këta demokratët me ne punojnë, me të tjerët protestojnë. Janë në rregull, këta janë rehat, këtyre u del edhe të argëtohen me molotovë, edhe të ndërtojnë dhe fitojnë”.
Në vijim, Rama u ndal te procesi i integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e reformave dhe transformimit të brendshëm të vendit. Sipas tij, Bashkimi Europian nuk është thjesht një objektiv politik, por një proces i thellë transformimi për Shqipërinë.
“Bashkimi Europian është proces transformimi. Ato hapa që Komisioni Europian na certifikon nuk janë thjesht letra, por pasqyrojnë transformimin e realitetit”, u shpreh Rama.
Duke folur për korrupsionin, kryeministri kundërshtoi akuzat për rritje të tij, duke i cilësuar si të motivuara nga mllefi politik. Ai solli si argument rritjen e të ardhurave nga taksat, duke theksuar se bizneset sot paguajnë më shumë se më parë.
“Ata që flasin për një Shqipëri të kapur nga korrupsioni janë kapur nga mllefi ndaj suksesit. Nuk mund të rritet korrupsioni kur paguan 14 milionë euro taksë. Kur korrupsioni ishte më i lartë, paguhej shumë më pak taksë”, deklaroi Rama.
Në përfundim, Rama nënvizoi se progresi ekonomik dhe rruga drejt integrimit europian janë të lidhura ngushtë me vazhdimin e reformave dhe bashkëpunimin me sipërmarrjen.
