Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti në Zyrën Ovale kryetarin e sapozgjedhur të Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, një nga kritikët më të ashpër të tij gjatë fushatës.
Te dy u shfaqën të qeshur, të qetë dhe të gatshëm për bashkëpunim.
Presidenti jo vetëm shmangu kritikat, por e vlerësoi disa herë kryebashkiakun e zgjedhur.
” Patëm një takim të shkëlqyer, vërtet të mirë dhe shumë produktiv. Kemi një gjë të përbashkët. Duam që të punojmë shumë në këtë qytet që e duam shumë. Doja ta përgëzoja kryetarin e bashkisë. Ai me të vërtetë zhvilloi një garë të jashtëzakonshme kundër, njerëz shumë të zgjuar. Ai i mundi ata, lehtësisht. Çdo gjë që bëj do të jetë e mirë për Nju Jorkun,” deklaroi presidenti amerikan.
Edhe Mamdani nga ana tjetër e cilësoi takimin mjaft produktiv.
“E vlerësoj takimin me presidentin dhe siç tha ai ishte një takim produktiv i përqendruar në një vend admirimi dhe dashurie të përbashkët, që është Qyteti i Nju Jorkut. Pres me padurim të punojmë së bashku për të ofruar jetesë më të mire për banorët e Nju Jorkut, “shtoi Mamdani.
Edhe kur gazetarët rikujtuan deklaratat e mëparshme, Trump që e kishte quajtur Mamdanin “komunist” dhe Mamdanin që e kishte etiketuar presidentin si “fashist ” të dy zgjodhën të shmangnin debatet dhe t’i ktheheshin temës për të cilën u dakordësuan.
Madje, në një moment që shkaktoi të qeshura, Trump i dha atij të drejtën të përgjigjej nëse e konsideronte presidentin “fashist”. “Është në rregull, mund të thuash ‘po’,” ndërhyri Trump me humor./mxh
