Ben Reiff*
Tashmë që një zyrtar i lartë ushtarak ka pranuar javën e kaluar se Izraeli e konsideron të saktë numrin e viktimave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza – i cili aktualisht tejkalon 70 mijë – zëdhënësit zyrtarë dhe jozyrtarë të Izraelit janë futur në modalitetin e kontrollit të dëmeve. Kjo vjen pas dy vitesh gjatë të cilave Izraeli dhe mbështetësit e tij shfrytëzuan çdo rast për të përbaltur dhe hedhur poshtë shifrat e ministrisë, duke argumentuar se ato ishin të fryra ose të fabrikuara nga Hamasi.
Në listën prestigjioze të mohuesve, për të përmendur vetëm disa, përfshihen zëdhënës të qeverisë dhe ushtrisë izraelite, ish-presidenti amerikan Joe Biden, Kongresi i SHBA-së, drejtori i Anti-Defamation League (ADL) Jonathan Greenblatt, Komiteti Amerikan për Çështjet Publike Izraelite (AIPAC), si edhe një sërë analistësh në qendra ndikimi, think-tank-e dhe institute politike. Mohimeve të tyre u shtua edhe kredibiliteti i mediave të njohura në mbarë botën, të cilat shpesh e përshkruanin Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza si “të drejtuar nga Hamasi”, duke i nxitur lexuesit dhe shikuesit ta shihnin bilancin e viktimave me dyshim.
Në të vërtetë, besueshmëria e bilancit zyrtar të viktimave nuk duhej të ishte vënë kurrë në dyshim. Së pari, OKB-ja e ka verifikuar në mënyrë të pavarur saktësinë e shifrave të ministrisë pas çdo bombardimi të mëparshëm izraelit të Gazës që nga viti 2008. Së dyti, të dhënat e publikuara nga ministria që nga 7 tetori janë jashtëzakonisht të detajuara: ato përfshijnë emrin e plotë, datën e lindjes, gjininë dhe numrin e identifikimit për të gjitha viktimat, vdekja e të cilave është konfirmuar ose nga morgjet spitalore, ose nga familjarët.
Natyrisht, gabime janë bërë mes intensitetit të një sulmi izraelit që praktikisht shkatërroi të gjithë sistemin shëndetësor të Gazës, por këto kanë qenë çuditërisht të pakta dhe janë korrigjuar shpejt. Sky News konstatoi vitin e kaluar se regjistrimet në listën e viktimave me numra identifikimi të munguar ose të pavlefshëm ranë nga 2,769 në fillim të prillit në vetëm 313 deri në fund të korrikut. Si rrjedhojë, disa hetime të jashtme mbi të dhënat e publikuara arritën në përfundimin se ato i rezistonin verifikimit kritik.
Që në janar 2024, kolegu im Yuval Abraham raportoi se agjencitë e inteligjencës ushtarake izraelite kishin mbikëqyrur edhe vetë personelin e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza për të kontrolluar nëse të dhënat e tyre ishin të sakta; pasi konstatuan se ishin, ato filluan t’i përdornin këto shifra në raportimet e brendshme të inteligjencës. “Në çdo mbledhje informuese, kur të gjithë përditësojnë njëri-tjetrin mbi çfarë po ndodh, ka një slide që tregon numrin aktual të civilëve të vrarë në Gaza. Dhe ai bazohet pothuajse tërësisht në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit”, i tha një burim i inteligjencës.
Megjithatë, mohimet vazhduan edhe për dy vite të tëra. Madje edhe tani, ushtria izraelite reagoi shpejt pas raportimeve të javës së kaluar duke pretenduar se “detajet e publikuara nuk pasqyrojnë të dhënat zyrtare të IDF-së” – pavarësisht se mediat izraelite e bënë të qartë se kjo ishte ajo që u ishte thënë nga një zyrtar i lartë në një takim privat informues.
A do të shohim tani një valë pendesash, apo të paktën pak vetëreflektim, nga të gjithë ata që përhapën narrativën se bilanci i viktimave nuk ishte i besueshëm? Mos e mbani frymën. Në fakt, disa prej tyre tashmë duken se po zhvendosin shtyllat e lojës, duke argumentuar se, edhe nëse numri total prej 70 mijë viktimash është i saktë, ajo që ka rëndësi është raporti mes civilëve dhe militantëve, i cili – sipas tyre – është relativisht i ulët për luftë urbane.
Gjatë gjithë luftës, udhëheqësit izraelitë kanë cituar një raport viktimash civile deri në 1:1, ose më së fundmi 1.5:1, dhe tani pretendojnë se militantët përbëjnë deri në 25 mijë nga të vdekurit në Gaza. Por edhe këto pretendime bien nën një shqyrtim elementar.
Për të kuptuar pse, mjafton të shihni se kë e konsideron ushtria izraelite si militant. Pas pushtimit të Gazës në fund të vitit 2023, ushtria filloi të krijojë zona të militarizuara të quajtura “zona vrasjeje”, me kufij arbitrarë dhe shpesh të padukshëm, brenda të cilave vritej automatikisht çdo palestinez që hynte – përfshirë fëmijë – dhe më pas etiketohej në mënyrë retroaktive si terrorist. (Kjo aktualisht përfshin rreth 60% të territorit të Gazës që ushtria izraelite vazhdon të mbajë të pushtuar, pavarësisht armëpushimit.)
Dhe këtë e dëshmojnë edhe vetë të dhënat e ushtrisë. Gushtin e kaluar, revista +972 (ku unë jam zëvendëskryeredaktor) dhe Guardian publikuan një hetim të përbashkët që zbulonte ekzistencën e një databaze të klasifikuar të inteligjencës izraelite, e cila mban informacion të përditësuar mbi statusin e çdo palestinezi në Gaza, që Izraeli – përmes një kombinimi të mbikëqyrjes masive dhe algoritmeve të inteligjencës artificiale – e dyshon si militant të Hamasit ose Xhihadit Islamik Palestinez. Sipas të dhënave që siguruam nga kjo databazë në maj të vitit të kaluar, Izraeli kishte vrarë më pak se 9 mijë militantë në një kohë kur bilanci i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë ishte 53 mijë.
Pra, databaza tregonte se 83% e të vdekurve në Gaza ishin civilë, duke nxjerrë në pah një raport viktimash civile me pak paralele në luftërat moderne – fakt që i jep edhe më shumë peshë akuzave për gjenocid ndaj Izraelit, të ngritura nga OKB-ja, organizatat e të drejtave të njeriut dhe studiues të shquar të gjenocidit. (Ushtria deklaroi në përgjigje se “shifrat e paraqitura në artikull janë të pasakta”, pa mohuar ekzistencën e databazës dhe pa sqaruar se cilat të dhëna kundërshtonte.)
Dhe kjo duke u bazuar vetëm në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat nuk përfshijnë rreth 10 mijë trupa që mendohet se ndodhen ende nën rrënoja; as “vdekjet indirekte” nga uria, sëmundjet, hipotermia dhe sëmundjet e trajtueshme, të cilat shpesh i tejkalojnë vdekjet “direkte” në zonat e luftës. Në fakt, studime të ndryshme shkencore të kryera gjatë luftës kanë vlerësuar se bilanci real i viktimave nga ofensiva izraelite mund të ketë shkuar shumë përtej 100 mijë.
Ndërsa nuk do ta dimë me siguri se sa i lartë është në të vërtetë numri i të vdekurve që nga 7 tetori deri sa Izraeli të ndalojë bombardimet e Gazës dhe të mos pengojë median vendase dhe ndërkombëtare të raportojë lirshëm në gjithë territorin, një gjë është e sigurt: klima e mohimit rreth shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë e ndihmoi Izraelin të vazhdonte masakrat ndaj palestinezëve me pandëshkueshmëri.
*Ben Reiff është zëvendëskryeredaktor i revistës +972/ Përgatiti për botim: L.Veizi
