J Balvin do të jetë protagonisti i ceremonisë hapëse të 2026 FIFA World Cup, duke sjellë atmosferën latino në nisjen e kompeticionit më të madh të futbollit në botë.
FIFA ka bërë të ditur se artisti kolumbian do të performojë më 11 qershor në Mexico City, aty ku do të startojë zyrtarisht Kupa e Botës 2026. Organizatorët premtojnë një spektakël të madh artistik, ku muzika dhe kultura meksikane do të kenë një rol kryesor.
Në një intervistë për CNN, Balvin e cilësoi pjesëmarrjen e tij në këtë event si një moment historik për muzikën latino. Këngëtari u shpreh se artistët latinë po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregun ndërkombëtar dhe po ndikojnë fuqishëm industrinë muzikore globale.
Përveç Balvin, në ceremoninë hapëse pritet të performojnë edhe emra të njohur si Alejandro Fernández, Belinda, Danny Ocean, Maná dhe Tyla, duke e kthyer ceremoninë në një festival të vërtetë muzikor.
Artisti kolumbian foli edhe për suksesin global të muzikës latino, duke përmendur fenomenin që kanë krijuar emra si Bad Bunny dhe Karol G në vitet e fundit.
Ndërkohë, paralelisht me përgatitjet për Kupën e Botës, Balvin po zhvillon edhe turneun e tij “Ciudad Primavera” në Kolumbi, ku po promovon artistët e rinj dhe po rikthehet më afër origjinës së tij muzikore./mxh
