Për shekuj me radhë, bëmat e Hanibalit i kemi njohur vetëm nga librat. Sot, një fragment i vogël kocke – sa një topth – është kthyer në “provën përfundimtare” të Luftës së Dytë Punike.
Një afresk i Rilindjes që paraqet Hanibalin duke kaluar Alpet dëshmonte deri më tani praninë e elefantëve vetëm nëpërmjet teksteve dhe veprave artistike. Por zbulimi në Spanjë i një kocke elefanti të shekullit III para erës sonë ofron për herë të parë një konfirmim arkeologjik të kësaj pranie.
Ndonjëherë dëshmitë historike dalin në dritë nga fragmente të papërfillshme, në vende të pazakonta. Ky është rasti i një gjetjeje në sitin arkeologjik Colina de los Quemados, në Kordobë të Spanjës. Nën atë që sot është një spital, arkeologët e Universitetit të Kordobës dhe të Universitetit Autonom të Madridit zbuluan një kockë karpale elefanti, e datuar me radiokarbon mes shekullit IV dhe III p.e.s.
Megjithëse e vogël – rreth 10 centimetra – kjo kockë përbën një hallkë vendimtare: është prova e parë fizike e pranisë së elefantëve në ushtritë kartagjenase, sipas studimit të botuar në Journal of Archaeological Science.
Zbulimi
Deri tani, historia e elefantëve të Hanibalit – “tanket” e lashtësisë që kaluan Alpet për të sfiduar Romën – mbështetej pothuajse vetëm në burime letrare, si rrëfimet e Polibit dhe Livit, ose në paraqitje në monedha antike.
Mungonte prova materiale. Në të njëjtin vend ku u gjet kocka, studiuesit zbuluan edhe dymbëdhjetë predha katapulte, monedha kartagjenase të shekullit III p.e.s., si dhe armë e qeramikë – shenja të qarta të një kampi ushtarak të lidhur me Luftën e Dytë Punike (218-201 p.e.s.).
Lidhja me Hanibalin
Shkencëtarët mbeten të kujdesshëm për të pohuar se kocka i përkiste njërit prej 37 elefantëve që kaluan Alpet në vitin 218 p.e.s., por datimi e vendos gjetjen pikërisht në kohën e Luftës së Dytë Punike. Në atë periudhë, Spanja ishte baza operative e familjes Barca; ndaj është shumë e mundshme që kafsha të ketë qenë pjesë e trupave të Hanibalit ose të vëllait të tij Hasdrubal, që mbronin zotërimet kartagjenase nga përparimi romak. Pavarësisht vështirësive të mëdha logjistike për ushqimin dhe transportin, këta elefantë përdoreshin si armë lufte dhe lëviznin për mijëra kilometra.
Prova e ADN-së
Mbetet ende një pyetje: cilës specie i përkiste elefanti? Kartagjena përdorte zakonisht elefantin e pyjeve të Afrikës së Veriut (Loxodonta africana pharaohensis), një nënspecie tashmë e zhdukur dhe më e vogël se elefantët e savanës.
Ekipi i drejtuar nga Rafael Martínez Sánchez po përpiqet të nxjerrë ADN nga fragmenti për të konfirmuar origjinën e kafshës dhe për të kuptuar nëse vinte nga Afrika qendrore apo ishte një elefant aziatik, ndonjëherë i importuar përmes mbretërive helenistike.
Konteksti historik
Ky zbulim na rikthen te përplasja shumëvjeçare mes Romës dhe Kartagjenës, e zhvilluar në tri luftërat punike (264-146 p.e.s.), një nga sfidat vendimtare për sundimin e Mesdheut.
Fragmenti kockor daton në kohën kur Hanibal Barca (247-183 p.e.s.) hartoi planin e guximshëm për të hyrë në Itali nga toka, duke kaluar Pirenejtë dhe Alpet. Ai solli me vete rreth 50 mijë këmbësorë e kalorës dhe 37 elefantë. Gjenerali kartagjenas besonte se popullsitë italike do të ngriheshin kundër Romës: këtë e bënë galët e veriut dhe disa qytete jugore, por shteti romak qëndroi i pathyer. Hanibali nuk arriti të shfrytëzonte fitoren dërrmuese të Kanës (216 p.e.s.) dhe mbeti për më shumë se dhjetë vjet në Italinë jugore, në pritje të përforcimeve që nuk erdhën kurrë. Në vitin 203 p.e.s. u thirr të mbronte Kartagjenën nga legjionet e Skipionit; në Zamë (202 p.e.s.) pësoi humbjen përfundimtare.
Fundi i elefantëve të luftës
Përballja vendimtare e Luftës së Dytë Punike vuri përballë Publio Kornelio Skipionin, me rreth 45 mijë ushtarë, dhe Hanibalin, me afro 50 mijë. Edhe pse ky i fundit kishte elefantët, sulmi i tyre u neutralizua nga romakët, që krijuan korridore midis manipulave ku u futën kafshët. Skipioni shkatërroi kalorësinë armike dhe më pas erdhi përleshja e drejtpërdrejtë e këmbësorisë.
Në fund, rreshti i tretë romak përparoi duke rrethuar veteranët kartagjenas. Kalorësia romake dhe numide e mbylli rrethimin. Për Hanibalin dhe ushtrinë e tij kjo ishte një kasaphanë – mbi 20 mijë të vrarë – dhe fillimi i rënies së Kartagjenës, e detyruar të kërkonte paqe.
Burimi: focus.it/ Nga Paola Panigas/ Përgatiti për botim: L.Veizi
