Taylor Swift ka vendosur një tjetër rekord në historinë e MTV Video Music Awards. Këngëtarja amerikane triumfoi në kategorinë “Video of the Year” me klipin e këngës “The Fate of Ophelia”, duke e çuar në gjashtë numrin e fitoreve të saj në këtë kategori.
Kënga është pjesë e albumit “The Life of a Showgirl”, ndërsa videoklipi, i publikuar në tetor 2025, është realizuar nga vetë Swift.
Në garën për çmimin kryesor, ajo la pas emra të njohur si Ariana Grande, Madonna, Bruno Mars, GENER8ION dhe Sabrina Carpenter. Trofeun ia dorëzoi prezantuesi i ceremonisë, Snoop Dogg.
Gjatë fjalimit, Swift foli për procesin krijues pas videoklipit dhe tregoi se kishte punuar që ai të krijonte iluzionin e një xhirimi të vetëm. Ajo veçoi edhe drejtorin e fotografisë, Rodrigo Prieto, duke e falënderuar për mbështetjen që i kishte dhënë në rrugëtimin e saj si regjisore e videoklipeve.
Megjithatë, fjalimi mori një tjetër drejtim kur Swift vendosi ta lidhte fitoren me një prej ikonave më të mëdha të muzikës country.
Çmimin ajo ia dedikoi Dolly Parton, të cilën e përshkroi si “showgirl-in e fundit”.
“Dua ta falënderoj dhe t’ia dedikoj këtë çmim një personi pa të cilin asgjë nga kjo nuk do të ndodhte. Ai person është showgirl-i i fundit, Dolly Parton”, tha Swift.
Këngëtarja foli me shumë admirim për trashëgiminë artistike të Parton dhe mënyrën se si ajo arrinte të tregonte histori përmes muzikës së saj.
Swift kujtoi gjithashtu ndikimin që Parton kishte te miliona fansa, duke e përfshirë veten mes tyre.
“Jam me fat që pata mundësinë të isha një prej tyre dhe do të jem gjithmonë një prej tyre. Mendoj se të gjithë ishim shumë me fat që ndamë këtë planet me Dolly Parton për një kohë”, u shpreh ajo.
Parton, një prej emrave më të rëndësishëm të muzikës country, ndërroi jetë në fund të gushtit, në moshën 80-vjeçare, pas një beteje me kancerin. Largimi i saj u pasua nga homazhe të shumta nga artistë dhe figura të njohura të industrisë së muzikës./mxh
