Last Updated on 20/12/2025 by EL
Ish-Presidenti Ilir Meta në një intervistë televizive nga qelia denoncoi Edi Ramën dhe mazhorancën për bllokimin e drejtësisë dhe përpjekjet për të mbrojtur zv.kryeministren Belinda Balluku.
Meta e cilësoi Ramën si një pengues të drejtësisë dhe akuzoi qeverinë për përdorimin e mandateve të vjedhura për të mbrojtur krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ai vuri në dukje se SPAK-u ka bërë hapa të rëndësishëm, por theksoi se duhen hetime të thella për të çrrënjosur papërgjegjshmërinë e qeverisë.
Në lidhje me situatën ekonomike, Meta kritikoi rëndë Ramën për korrupsionin dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, duke e lidhur këtë me varfërimin dhe dështimet në sektorë kyç si bujqësia dhe prodhimi. Ish-Presidenti ftoi shqiptarët të bashkohen në protestën e 22 dhjetorit, për të kërkuar një qeverisje të re dhe për të çuar vendin drejt një të ardhmeje më të sigurt, me zgjedhje të lira dhe të drejta.
Pjesë nga biseda:
Z. Meta, si e shikoni qëndrimin e Kryeministrit Rama dhe mazhorancës lidhur me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Zv. Kryeministres Balluku?
Si provën më të qartë se Edi Rama është jo vetëm pengues i drejtësisë, por dhe pengmarrës i saj i deritanishëm.
Në rastin Balluku, SPAK-u është treguar shumë proporcional në kërkesat dhe hapat e tij. Kjo çështje duhej të ishte zgjidhur që në fillim politikisht me dorëheqje ose shkarkim.
Por Rama, është e qartë se nuk ka hallin e Znj. Balluku, por të tijin personal, ndaj ka bërë çdo përpjekje për bllokimin dhe zvarritjen e hetimit.
Madje kërcënoi edhe me përdorimin e 83 mandateve të vjedhura, siç janë vjedhur të gjithë tenderat publikë në këtë vend (se tenderat sekretë vetëm për vjedhje të rrufeshme bëhen).
Ndaj tani është koha për të mos i dhënë kohë Ramës që të bllokojë hetimet dhe prishë provat ku ai del i përfshirë.
Ndaj të gjithë duhet t’i bashkohen protestës së 22 Dhjetorit kundër pengmarrësit jo vetëm të Drejtësisë, por edhe të lirive e të drejtave të shqiptarëve.
Akti i tij i fundit i përjashtimit arbitrar të 29 deputetëve të opozitës tregon panikun e tij nga të vërtetat që po provohen botërisht dhe të cilat as nuk i mbrojnë dot dhe as nuk i mbulojnë dot 83 “Diellat” e tij në Kuvend, që dinë vetëm të ngrenë dorën me sustë.
Këtu çdo investim publik i bërë prej Ramës, është bërë kryesisht me qëllim vjedhjen dhe jo interesin publik.
Përveç rasteve të provuara, si rruga Korçë-Ersekë apo e Qukës – Qafë Plloçës, apo e Arbrit e pafund, dje pashë se si ishte shkatërruar edhe rruga e sapo inaguruar 15 milionë euro Maliq-Lozhan-Strelcë.
A është SPAK në një moment të ri?
Kështu duket, por ka rëndësi të ecet përpara me vendosmëri dhe të hetohet në mënyrë shteruese deri në fund.
Duhet çrrënjosur kjo papërgjegjshmëri qeverisëse deri në nivelet më të larta.
Dua të vlerësoj faktin se në hetimin e AKSH-it, kemi për herë të parë kualifikimin e grupit të strukturuar kriminal.
Ky kualifikim ka munguar në të kaluarën, në shumë raste të tjera të masakrës së mirëstrukturuar që u është bërë parave publike.
Dhe natyrisht, do të doja të vlerësoja edhe denoncimet publike të bëra nga ish-Zv/Kryeministri Ahmetaj, ku koha provoi çdo të dhënë që dha ai, përfshirë edhe rolin e koordinatorit kombëtar të Kryeministrit me krimin e organizuar.
Dua të theksoj rëndësinë edhe për Sigurinë Kombëtare të hetimeve shteruese e përkufizim të AKSH-it, ku jo vetëm norma e vjedhjes është katastrofike , por ku vërtetohet edhe pengmarrja e organizuar në manipulimin e tenderave publikë, që s’mund të bëhej pa dijeninë e Kryeministrit.
Ahmetaj na ka paralajmëruar se dy fletë-arresti ishin grisur para një viti e gjysmë për AKSH-in.
Ndaj ka rëndësi të ecet pa ndalim drejt zbardhjes së përgjegjësive të plota deri në fund e deri në majë të kësaj piramide grabitqare por edhe pengmarrëse.
Çdo minutë që Rama rri në pushtet është kohë e humbur për Shqipërinë, sepse ajo zbrazet më shumë nga njerëzit e saj dhe bëhet më e dobët dhe e pashpresë. Çdo minutë e Ramës në pushtet ndihmon vjedhjen dhe varfërimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Çdo minutë e tij në pushtet sjell rrëzim të veprave publike dhe rritje të analfabetizmit funksional. Çdo minutë e Ramës në pushtet sjell falimentim për bujqësinë, prodhimin vendas dhe eksportet. Standardet e qeverisjes së mirë janë në pikiatë prej një dekade , sepse synimi madhor i Ramës ka qenë hapja totale e shtetit me qëllim realizimin e vjedhjes frontale në çdo sektor dhe në çdo tender.
Tani “mbreti” ka dalë lakuriq.
Ndaj edhe është kujtuar për standardet e procesit të rregullt ligjor, po kështu tani ka “zbuluar ” se paska edhe Këshill të Europës, po kështu edhe Konventë Europiane e madje se ekzistojnë edhe të drejtat e njeriut.
Në rastin e zëvendësit të tij për 10 vite, Z. Ahmetaj, kritikonte SPAK-un dhe Gjykatat që ishin treguar shumë të butë e të mëshirshëm. Se nuk ja vlen të përmendet këtu standardet e ndjekura kundër kundërshtarëve të tij.
Ç’mund të presësh më nga një Kryeministër që vodhi fondet europiane (IPARD) për fermerët dhe i çoi te inceneratori?/e.t
