Transporti ajror i Berlinit ishte një fitore e Luftës së Ftohtë që u mbështet mbi një histori bindëse për civilë të uritur. Por a ishte vërtet e tillë?
Nga Joseph Pearson
Ne në Perëndim dikur dinim të “luanim ndyrë” – dhe gjatë Luftës së Ftohtë ishim të zotët në këtë gjë. Sot, taktikat e zonës gri dhe lufta hibride ia kemi lënë Rusisë, e cila po fiton luftën e dezinformimit. Krenaria evropiane për të luajtur sipas rregullave mund të jetë thembrën e Akilit të demokracisë.
Transporti ajror i Berlinit është një shembull i mirë i asaj që dikur e bënim me mjeshtëri – por që sot e kemi harruar. Lufta e Ftohtë, në fakt, filloi dhe përfundoi në Berlin, e kornizuar nga transporti ajror i viteve 1948–49 dhe nga rënia e Murit në 1989. Ai transport ishte operacioni më i madh ajror humanitar në histori. Ai mbante me furnizime Berlinin Perëndimor kur Stalini u përpoq të dëbonte aleatët perëndimorë. Paralelisht, Perëndimi përdori radion (RIAS – Radio në Sektorin Amerikan, pararendëse e Radios Evropa e Lirë dhe Radio Liberty), dhe forcoi fuqinë e butë me misione kulturore si “Shakespeare në rrënoja”, apo me biblioteka dhe kurse të organizuara nga amerikanët.
Por arma më e fuqishme e Perëndimit ishte dezinformimi. Operacioni ajror kushtoi sa afro 3 miliardë dollarë me vlerën e sotme dhe kishte nevojë për një narrativë tërheqëse për të fituar mbështetjen e publikut. Dhe ja çfarë u ndërtua: “Berlini është në bllokadë, rrugët tokësore janë mbyllur, gratë e fëmijët po vdesin nga uria.”
Vetëm se, megjithëse kishte transport ajror, nuk kishte asnjë bllokadë të vërtetë të Berlinit.
Në Arkivin Kombëtar të Kew në Londër, gjenden dokumente të vitit 1948 që thonë, me fjalët e vetë Ministrisë së Jashtme britanike: “Bllokada e Berlinit NUK është rrethim”,
dhe se
“Lëvizja e gjermanëve brenda dhe jashtë është gjithnjë e mundur”, për shembull për të marrë ushqime.
Megjithatë, një fushatë shtypi shtyu për një “histori të madhe dhe sensacionale të fuqisë ajrore në shërbim të humanizmit”. Sekretari amerikan i shtetit, George C. Marshall, urdhëroi me telegram që të “përdorim në maksimum avantazhin propagandistik” dhe të “theksojmë përgjegjësinë sovjetike për urinë e popullsisë civile”.
Historia doli aq bindëse, sa u bë një mit i Luftës së Ftohtë që mbeti në kujtesë. Edhe sot, nxënësit britanikë mësojnë në GCSE se Stalini e kishte bllokuar Berlinin dhe qyteti ishte në prag urie.
A ishte e drejtë të mashtrohej publiku më 1948–49?
Jo.
A solli mbështetje të plotë në Britani dhe SHBA?
Po.
Madje transporti ajror i solli Harry Trumanit një rizgjedhje të papritur atë nëntor.
Çfarë kemi mësuar – dhe çfarë kemi harruar – që atëherë?
Demokracitë evropiane krenohen se janë më të sinqerta se Rusia (apo edhe SHBA). Integriteti i informacionit – transparenca, faktet, provat – ndërton besim. Mediat perëndimore duhet të jenë më të mira se “mullinjtë e thashethemeve” dhe robotët e rrjeteve sociale. Dhe ajo që ndodh në Rusi është tashmë mjaft e keqe, pa pasur nevojë për zbukurime.
Por taktikat tona mund të ishin më të ashpra. Po e humbasim luftën e informacionit ndaj Rusisë sepse mjetet që dikur na dhanë fuqi në Luftën e Ftohtë – shumë prej tyre që nga koha e transportit ajror – po zhduken pa zhurmë.
RFE dhe Radio Liberty, që transmetonin në Evropën Lindore, janë goditur rëndë; Trump u përpoq t’i mbyllte. Ministrat britanikë janë akuzuar me të drejtë se “flenë në timon”, ndërsa preken buxhetet për fuqinë e butë, si British Council.
Në Gjermani, Goethe-Institut po mbetet pa fonde.
Në SHBA, Global Engagement Center, që u krijua më 2016 për të ekspozuar dezinformimin, u mbyll nga Trump në fillim të këtij viti.
Strukturat e BE-së, si European External Action Service (EEAS) apo East StratCom Task Force, merren më shumë me monitorim se me kundërsulm. Siç paralajmëron Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), Perëndimi ka dështuar “të japë një përgjigje të kuptueshme ose të forcojë ndërveprimin publik për të kundërshtuar përpjekjet e dezinformimit rus”.
Rusia po fiton zemra dhe mendje – jo vetëm në Evropë, por edhe në Jugun Global
Fabrikat e “trolleve”, sulmet kibernetike, “deepfakes” dhe fushatat e lajmeve të rreme – për shembull, për bomba të ndyra dhe armë biologjike të supozuara në Ukrainë – po ndikojnë opinionin publik në rajone ku Perëndimi ka humbur epërsinë morale.
Putini e quan taktikën e Perëndimit “lojë të rrezikshme, të përgjakshme dhe të ndyrë”, por në fakt ai po projekton: është loja që po luan vetë.
Si do të dukej “të luanim ndyrë”?
Do të thoshte të vepronim me të njëjtin guxim dhe vendosmëri që ndihmuan Perëndimin të përballej me Stalinin – dhe të fitonte.
Do të thoshte të ndërmerrnim veprime të guximshme, siç ishte ndalimi nga BE më 2022 i transmetuesve rusë RT dhe Sputnik, apo sulmi i komandës kibernetike amerikane më 2018 ndaj “fabrikës së trolleve” ruse Internet Research Agency, për të ndalur ndërhyrjet në zgjedhje.
Do të thoshte gjithashtu të angazhonim haktivistë – edhe pse mund të mos dëgjojmë shumë për fitoret kibernetike të Perëndimit ndaj Rusisë, ndoshta sepse ato “bëjnë më pak zhurmë”.
Frika nga përshkallëzimi apo nga sulmet hakmarrëse ndaj infrastrukturave kritike është reale. Por ndërkohë që Rusia dërgon drone kërcënuese për të testuar kufijtë e Evropës, ne harxhojmë kohë duke u shqetësuar – në vend që të kundërpërgjigjemi.
Çfarë kemi humbur që prej transportit ajror të Berlinit?
Në atë kohë, SHBA dhe Britania derdhën në Evropë para, pushtet informativ dhe forcë ushtarake – për herë të parë në kohë paqeje. Me një qëndresë të jashtëzakonshme dhe me një histori madhështore (qoftë edhe jo plotësisht të vërtetë), ata e ndalën Stalinin.
Është mirë që sot jemi më të sinqertë, por nuk është mirë që kemi humbur shpirtin luftarak. Shumë duken të lodhur dhe të zhgënjyer për të luftuar më për avantazhet e demokracisë.
Prandaj, kur bëhet fjalë për (dez)informimin, rusët mund të thonë me vetëbesim: “Ne po fitojmë.”
*Joseph Pearson është historian, ligjërues në Barenboim–Said Akademie dhe New York University në Berlin.
Burimi: The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
