Last Updated on 11/06/2026 by Anisa
Seanca e sotme parlamentare është përfshirë nga debate mes mazhorancës dhe opozitës, ku në qendër të replikave kanë qenë investimet strategjike, projektligjet e propozuara nga opozita dhe protestat e qytetarëve.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar ashpër fjalimin e deputetes demokrate, Ina Zhupa, duke e krahasuar atë me një “flamingo nga Temu”. Balla ka ngritur dyshime mbi qëndrimin e opozitës, duke i akuzuar ata për paqëndrueshmëri politike lidhur me investimet në vend.
“Ky ishte fiks një fjalim i një flamingo nga Temu. Edhe më pelqen shumë që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit ju duket vetja flamingo, keni filluar të silleni si flamingo. Kush iu ka komanduar, autorizuar, bëni zhurmë sa të doni. Shkoni edhe në protestë po deshët, vidheni edhe po deshët protestën,” u shpreh Balla nga foltorja e Kuvendit.
Më tej, përfaqësuesi i shumicës deklaroi se vota e mazhorancës do të jetë kundër katër nismave ligjore të opozitës, duke argumentuar se ato pengojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë:
“Sa i përket 4 ligjeve që keni sjellë ne jemi kundra. Jemi kundra dhe do t’i rrëzojmë ato sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë. Ju javën e kaluar dolët me bufin e madhe e constitutional m* (apo ‘bufin e madh’ – shën. red.) e thatë se jeni pro investimit, tani kush është qëllimi i 4 projektligjeve. Tani jeni pro apo kundër, cili është qëllimi i këtyre projektligjeve? Ne jemi pro investimit, dhe do të bëhet. Shqipëria nuk e ka luksin të humbi 4 miliardë sepse e dini, pse bëheni kaq qesharak”, tha ai ndër të tjera.
Zhupa: Kuvendi në botë paralele, ligjet po ia dhurojnë Shqipërinë oligarkëve
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzoi parlamentin se po jeton në një “botë paralele” dhe larg realitetit të qytetarëve. Ajo vuri theksin te nevoja për ndryshime rrënjësore ligjore dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama.
“Ky Kuvend nuk mund të jetë në një botë paralele, nga bota e realitetit që po ndodh në Shqipëri. Se kush është prioritet i ditës. Çështja e parë që duhet adresuar është paketa e integrimit, e shfuqizimit të ligjit, që e kanë dhuruar Shqipërinë te oligarkët. E kanë trajtuar zhvillimin, kur do dhe si do Edi Rama. Kjo nuk është as Shqipëria europiane, dhe as ajo që duan shqiptarë,” deklaroi Zhupa.
Deputetja opozitare kritikoi gjithashtu trajtimin që mazhoranca u bën protestave të qytetarëve dhe menaxhimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit:
“Në fakt është i vetmi projektligj në kalendar se kur do të shqyrtohet, për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Edhe ça bëni ju? E lini pa data. Realiteti kërkon dorëheqjen e Ramës, një qeveri tranzitore, një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve, një parlament që nuk i anatemon protestuesit. Që s’i numëron ata me syzet e miopit, por me të realitetit.”
Në mbyllje të fjalës së saj, Zhupa legjitimoi pjesëmarrjen e qytetarëve në protesta si reagim ndaj asaj që ajo e quajti “makutëri” qeveritare:
“Nëse mendoni se mandatet tuaja vijnë nga qytetarët, përgjigjuni atyre, nëse mendoni se vini nga Rama, mos iu përgjigjeni. Por do të merrni nga ata përgjigjen, siç e shikoni që do të jenë më shumë, më të qartë, për të kërkuar që kjo qeveri, dhe kjo makutëri, kjo sjellje harbute, duke shkelur interesin publik dhe të brezave të ardhshëm, të ndalojë”, përfundoi ajo./a.d
