Një industri këshilltarësh po lulëzon duke ua lehtësuar zhvendosjen.
Këto janë kohë të pasigurta, edhe për të pasurit. Shumë prej atyre që kanë mjaftueshëm pasuri për t’u zhvendosur jashtë vendit për taksa më të ulëta, apo për sigurinë e tyre fizike ose politike, sot janë më pak të sigurt për t’u vendosur në Dubai apo Hong Kong, madje edhe në Amerikë apo Britani.
Megjithatë, mos ua qani shumë hallin: shumë qeveri mbeten të gatshme të pranojnë të huaj me para dhe aftësi. Ndërkohë, një industri në rritje këshilltarësh të besuar është gati t’i ndihmojë të pasurit të zhvendosen.
Për këta këshilltarë, biznesi po lulëzon. Vitin e kaluar migruan më shumë se 140 mijë milionerë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, sipas New World Wealth; këtë vit pritet që shifra të rritet në 165 mijë.
IMI (Investment Migration Insider) vlerëson se industria e migrimit përmes investimeve arriti 40 miliardë dollarë në vitin 2025, dy herë më shumë se në 2019.
Kjo industri përfshin më shumë se 1,200 kompani, nga firma ligjore dhe kontabiliteti deri te fondet e investimit dhe pronave të lidhura me shtetësinë ose rezidencën.
Deri para se Irani të godiste shtetet e Gjirit, një nga destinacionet e preferuara ishte Dubai, ku numri i milionerëve po rritej me shpejtësi. Një avokat imigracioni e përshkruan emiratin si “Walmart-in” e kësaj industrie, me ofrues të panumërt shërbimesh dhe tarifa shumë konkurruese. Ai ka tërhequr kryesisht të pasur nga Jugu Global: Azia Jugore, por edhe Nigeria, si dhe Siria e Libani të goditura nga lufta.
Përfaqësues të industrisë raportojnë tani interes në rritje për migrim edhe mes perëndimorëve të pasur.
Shumë britanikë të pasur nisën të kërkonin alternativa pas pandemisë.
Në vitin 2025, ata aplikuan në 23 programe migrimi përmes investimeve të drejtuara nga qeveri të huaja, përfshirë skemën amerikane EB-5 dhe programe në Grenada e Tajlandë.
Në pjesë të tjera të Europës, shqetësimi për taksat mbi pasurinë po shërben si nxitje.
Henley & Partners, një kompani konsulence, publikon çdo vit listën e vendeve kryesore nga të cilat largohen dhe ku shkojnë milionerët.
Vitin e kaluar, Franca, Gjermania dhe Spanja u shfaqën për herë të parë mes vendeve që humbën më shumë banorë të pasur sesa tërhoqën.
Por ndryshimi më i madh po ndodh në Amerikë, ku jeton më shumë se një e treta e njerëzve në botë me pasuri prej 30 milionë dollarësh ose më shumë, sipas kompanisë së pronave Knight Frank.
“SHBA-ja ka kaluar nga një treg anësor në tregun kryesor”, thotë Ronald Klasko, avokat në Filadelfia.
Në vitin 2024, pasi vuri re se më shumë amerikanë po kërkonin këshilla për shtetësi dhe rezidencë të huaj, ai krijoi Exodus Migration, një kompani konsulence për migrimin përmes investimeve.
Ai thotë se shumica e klientëve janë të interesuar të zhvendosen në Europë, sepse janë të shqetësuar për drejtimin politik të Amerikës, duan një rezidencë alternative ose duan të udhëtojnë pa pasaportë amerikane.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve dhe faktit që Amerika ndalon hyrjen e qytetarëve të disa vendeve, ajo ende tërheq shumë të huaj të pasur.
Kërkesa për programin EB-5, që kërkon një investim prej të paktën 800 mijë dollarësh në vend, është e lartë, megjithëse kjo mund të lidhet me faktin se pragu pritet të rritet në rreth 900 mijë dollarë në fillim të vitit të ardhshëm.
Avokatët raportojnë “shumë pak kërkesë” për vizën “Gold Card” të Donald Trump, e cila kushton 1 milion dollarë për çdo anëtar familjeje dhe ka një bazë ligjore të pasigurt.
Shumë vende të tjera janë gjithashtu të etura të përfitojnë nga ky trend. Shën Vincenti dhe Grenadinet, në Karaibe, njoftuan në dhjetor se do të hapnin një program shtetësie përmes investimeve, të cilin e cilësuan si një “shtyllë kritike ekonomike”.
Uzbekistani, Maldivet dhe Nauru kanë kërkuar nga Henley të hartojë dhe zhvillojë skema të ngjashme.
Megjithatë, të pasurit mund të zbulojnë se mikpritja e ngrohtë ndonjëherë ftohet.
Në janar 2025, Spanja, dikur një destinacion i preferuar, anuloi programin e rezidencës prej 500 mijë eurosh në përpjekje për të frenuar spekulimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Në prill, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian vendosi se skema e Maltës shkelte ligjin e BE-së, pasi “komercializonte” shtetësinë. Megjithatë, programi alternativ i ishullit për “shtetësi mbi bazën e meritës”, që pranon sipërmarrës, ka fituar terren.
Po në prill të këtij viti, Argjentina anuloi një tender për krijimin e një programi migrimi përmes investimeve, i shpallur vetëm në dhjetor dhe që kishte tërhequr interesin e 11 kompanive. Muajin e kaluar, Portugalia zgjati nga pesë në dhjetë vjet periudhën e pritjes për marrjen e pasaportës për shumicën e emigrantëve.
Shumë qeveri po përballen me presion për të forcuar verifikimet në programet e shtetësisë dhe rezidencës, vëren Ronald Klasko.
Çështja kryesore është: “A e dini si shtet se kush janë njerëzit të cilëve po u jepni pasaporta?”.
Me fjalë të tjera, pasiguria gjeopolitike nuk shqetëson vetëm të pasurit. Megjithatë, ka ende shumë vende të gatshme t’i pranojnë ata dhe plot këshilltarë të gatshëm t’i ndihmojnë të zgjedhin destinacionin e tyre të ardhshëm./ The Economist-a.d
