Elon Musk është bërë zyrtarisht njeriu i parë në histori që ka arritur statusin e trilionerit, pas daljes së suksesshme në bursë të SpaceX. Kompania e tij hapësinore u vlerësua në rreth 1.77 trilionë dollarë, pas një IPO-je ku u grumbulluan 75 miliardë dollarë nga shitja e mbi 555 milionë aksioneve me çmimin 135 dollarë secili. Pas rritjes së mëtejshme të aksioneve, pasuria e Musk kaloi pragun historik të trilionit dollarë, duke përfshirë aksionet e SpaceX dhe Tesla-s.
Megjithatë, pavarësisht kësaj pasurie gjigante, jeta e tij e përditshme është shumë më modeste nga sa pritet.
Një shtëpi e vogël pranë SpaceX
Pas zhvendosjes në Teksas në vitin 2020 dhe transferimit të kompanive të tij atje, Musk shiti shumicën e pronave luksoze në Kaliforni. Edhe pse ka blerë disa prona në zonën e Austin-it me vlerë rreth 35 milionë dollarë, ai ka deklaruar se banesa e tij kryesore është një shtëpi shumë më e vogël pranë bazës së SpaceX në Boca Chica, Texas.
Sipas vetë Musk, ai jeton në një shtëpi të vogël me vlerë rreth 50,000 dollarë, të cilën e merr me qira nga SpaceX.
“Banesa ime kryesore është një shtëpi rreth 50 mijë dollarë në Boca Chica/Starbase, të cilën e marr me qira nga SpaceX. Është goxha interesante,” ka shkruar ai në platformën X.
Shtëpia është e ndërtuar nga startup-i Boxabl dhe ka përmasa aafërsisht 400 metra katrorë. Brenda saj ka një hapësirë ndenjeje, dhomë gjumi, kuzhinë dhe banjo me vaskë/dush.
Një stil jetese i fokusuar te puna
Stili i thjeshtë i jetesës së Musk lidhet me zakonet e tij të njohura për të qëndruar shumë afër kompanive që drejton. Biografi i tij, Walter Isaacson, ka treguar se ai jeton në një ambient “spartiat” ku shpesh ulet në një tavolinë druri dhe zhvillon telefonata pune.
Edhe nëna e tij, Maye Musk, ka përshkruar kushtet modeste gjatë një vizite, duke thënë se në frigorifer nuk kishte ushqim dhe se kushtet ishin shumë të thjeshta, madje edhe me një peshqir të vetëm në banjo.
Musk është i njohur për orët e gjata të punës dhe për faktin se shpesh ka fjetur në fabrika gjatë periudhave të vështira të prodhimit të Tesla-s.
Reagimet në rrjete sociale
Në rrjetet sociale, reagimet janë të ndara. Disa përdorues e vlerësojnë stilin e tij minimal dhe e shohin si shenjë përkushtimi ndaj punës, duke theksuar se pasuria e tij është kryesisht e lidhur me aksionet e kompanive.
Të tjerë, megjithatë, e konsiderojnë këtë imazh si të krijuar për PR, duke pretenduar se pasuria e tij është e strukturuar përmes kompanive që ai kontrollon dhe se realiteti i jetesës së tij mund të jetë më kompleks sesa paraqitet publikisht./a.d
