Last Updated on 20/10/2026 by EL
Pas marshimit nëpër qytet, pasi efektivët në Rrugën e Durrësit i spërkatën me ujë dhe gaz lotsjellës, disa të rinj janë parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku dhe kanë shkulur stacionin e urbanit duke e zhvendosur atë në mes të rrugës, poshtë Kryeministrisë.
Të njëjtët persona të maskuar, janë parë duke marrë dhe koshin e basketbollit që ndodhej në një qoshe të një lulishteje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilin e kanë vendosur pranë stacionit të urbanit që ata zhvendosën duke krijuar barrikadë.
Po ashtu, raportohet se të tjerë janë parë duke qëlluar sërish me gurë në drejtim të efektivëve që ndodhen në terren.
Kujtojmë se që në ditën e parë të protestës studentore, më 13 tetor, të rinj të maskuar janë parë duke thyer e shkatërruar xhamat e stacioneve të urbaneve që ndodhen nëpër kryeqytet.
Sot e kësaj dite, stacionet janë të dëmtuar, të mbushura me copa xhamash, pasi revolta studentore vijon prej 8 ditësh, ku të rinjtë, studentë, gjimnazistë, prindër, të cilëve sot u janë bashkuar dhe pedagogët, kërkojnë me këmbëngulje dorëheqjen e kryeministrit Rama./et
