Dy palestinezë, mes tyre një 14-vjeçar, janë vrarë të martën në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas të shtënave të kolonëve izraelitë dhe ushtarëve, sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve palestineze.
Sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, ngjarja ndodhi në fshatin al-Mughayyir, pranë Ramallahut, ku dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën nga të shtënat. Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se viktimat janë një 14-vjeçar dhe një 32-vjeçar.
Kreu i këshillit lokal, Amin Abu Ulaya, deklaroi për agjencinë Reuters se kolonët dhe forcat izraelite kishin hyrë në fshat dhe kishin hapur zjarr, duke shkaktuar panik mes banorëve, ndërsa prindërit janë vërsulur drejt shkollës për të kërkuar fëmijët e tyre.
Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për ngjarjen.
Banorë të zonës, si Kathem Al-Haj-Ahmed, thonë se kolonët kanë sulmuar fillimisht një shkollë në fshat, duke akuzuar se palestinezët shpesh përballen me dhunë të paprovokuar në këtë zonë.
Ngjarja vjen në një kontekst të rritjes së tensioneve në Bregun Perëndimor, ku organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë për shtim të dhunës nga kolonët dhe forcat izraelite.
Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor konsiderohen të paligjshme nga Kombet e Bashkuara dhe shumica e shteteve, ndërsa palestinezët synojnë që kjo zonë të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm të pavarur.
Sipas të dhënave, rreth 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë aktualisht në Bregun Perëndimor, mes rreth 2.7 milionë palestinezëve./mxh
