Nga Minella Aleksi
Në emër të një kauze të shpallur fisnike, po i japim anarkisë të drejtën të vishet me petkun e moralit. Ka një paradoks që meriton të ndriçohet e të qartësohet, si mund të kërkosh drejtësi duke shkatërruar atë që u përket të gjithëve? Si mund të protestosh kundër padrejtësisë duke prodhuar padrejtësi të reja? Dhe si mund të pretendosh se po çliron shoqërinë, ndërsa e merr peng atë? Ka diçka thellësisht groteske në disa prej skenave që shfaqen në rrugët e Tiranës: protestuesit thirren studentë. Por në vend të librave shfaqen gurët; në vend të argumenteve, flakët; në vend të kërkesave për reformë, dëmtime rrugësh, shkatërrime pronash dhe zjarrvënie ndaj bankave. Pse studentët kanë ngatërruar universitetin, me një shkollë profesionale për prodhimin e kaosit?.
Në pamje të parë, kemi një protestë. Në pamje të dytë, kemi një skenë që të kujton Sodomën dhe Gomorrën, me një ndryshim të vogël modernizues: qytetet biblike u shkatërruan nga një katastrofë e përmasave mitike, ndërsa në Tiranë mjaftojnë grupe grabitësish me maska, grumbuj me bomba molotov dhe një turmë që duhet bindur se djegia e një objekti është argument politik. Tirana sot ngjan me Sodoma e Gomorra e shkatërruar jo nga zjarri që bie si shi nga qielli. Ka diçka thellësisht shqetësuese në një revolucion që nuk arrin të shpjegojë se çfarë kërkon, por e di me saktësi të admirueshme se çfarë duhet të shkatërrojë.
Por pyetja më interesante nuk është se çfarë po shkatërrohet. Është kush po e shkatërron, për çfarë qëllimi dhe në shërbim të kujt?
Sepse jo çdo njeri që hedh një gur është revolucionar, ashtu siç jo çdo njeri që mban një pankartë është bartës i një ideologjie. Disa njerëz besojnë në një kauzë; disa të tjerë besojnë te mundësia për ta kthyer kauzën në profesion. Studentët po i shohim mes zjarrit dhe hipokrizisë së një revolucioni pa fytyrë.
Në studiot e TV-it i quajnë studentë. Dhe, natyrisht, studentët kanë të drejtë të protestojnë, të zemërohen, të kërkojnë ndryshim dhe të vënë në pikëpyetje pushtetin. Historia e emancipimit shoqëror nuk është shkruar nga të rinj që kanë heshtur, por nga të rinj që kanë guxuar të flasin. Megjithatë, ekziston një pyetje që nuk mund të anashkalohet: çfarë ndodh kur ata që pretendojnë se përfaqësojnë një kauzë qytetare nuk distancohen nga ata që e shndërrojnë protestën në zjarr, në vandalizëm dhe në shkatërrim?
Nëse studentët dalin në rrugë për një kauzë të tyren, por pranë tyre shfaqen individë që djegin, shkatërrojnë e plaçkitin, atëherë lind një detyrim elementar: Të përcaktojnë kufirin midis protestës së tyre dhe veprimeve të këtyre individëve. Jo sepse duhet të marrin përgjegjësi për çdo njeri që u afrohet, por sepse askush nuk mund të pretendojë se përfaqëson një kauzë të pastër, ndërsa e lë atë të përdoret si mbulesë për veprime që bien ndesh me të. Heshtja mes tyre bëhet një çështje me peshë të rëndë politike e morale.
Pse nuk dëgjohet me të njëjtën forcë një distancim publik nga zjarrvënësit? Pse nuk shohim një vijë të qartë ndarëse midis studentit që kërkon ndryshim dhe vandalit që kërkon rastin për të shkatërruar? Pse ardhja e elementëve të dhunshëm nuk shihet si kërcënim për kauzën, por duartrokitet ose mirëpritet, si një përforcim i saj?
Këto pyetje nuk provojnë vetvetiu se studentët janë të pasinqertë. Por ato ngrenë një dyshim të ligjshëm mbi sinqeritetin e një lëvizjeje që kërkon besimin e qytetarëve, pa bërë të qartë se ku mbaron protesta dhe ku fillon anarkia.
Kur shkatërrimi kryhet para syve të tyre, në emër të së njëjtës atmosferë proteste, dhe ata që pretendojnë se përfaqësojnë një lëvizje qytetare nuk e kundërshtojnë, nuk distancohen dhe madje e mirëpresin këtë përshkallëzim, atëherë lind një problem që nuk zgjidhet me përsëritjen e fjalës student. Identiteti nuk provohet me etiketën që i vendosim vetes, por me kufijtë moralë që jemi të gatshëm të mbrojmë.
Studenti dhe profesori që kërkon një shoqëri më të drejtë duhet të jetë i pari që kundërshton shkatërrimin e pronës publike dhe private. Përndryshe, si do t’u kërkojë nesër të tjerëve të respektojnë ligjin, nëse sot e trajton shkeljen e tij si një hollësi të parëndësishme? Si do të kërkojë përgjegjësi nga pushteti, nëse përgjegjësinë e përjashton nga kampi i vet? Këtu nuk kemi më vetëm një problem rendi publik. Kemi një problem koherence morale.
A janë këta studentë e pedagogë të gatshëm të përballen me të vërtetën e sjelljes së tyre. Të na tregojnë me vepra që janë të sinqertë me veten e tyre? Distancimi është thelbësor. Ai nuk është dobësi e protestës, por mënyra për ta mbrojtur atë nga ata që e komprometojnë me vandalizëm..Revolucioni i studentëve duket se ka zbuluar një formulë shumë më ekonomike: të mos kesh nevojë të mendosh për të ardhmen, kur mund të merresh me shkatërrimin e së tashmes.
Një protestë mund të nisë me një kërkesë të drejtë dhe të përfundojë duke i bërë padrejtësi vetë kauzës së saj. Një student mund të kërkojë ndryshim pa u bërë vandal, por, nëse pranon që vandalizmi të flasë në emër të tij, rrezikon të humbasë pikërisht atë që pretendon se mbron: autoritetin moral. Ndoshta disa nga studentët revolucionarë ndihen më të plotësuar kur kauza e tyre gjen strehë nën çadrën politike të PD-së dhe shoqëri mes atyre që e shndërrojnë protestën në zjarr e shkatërrim? Në fund të fundit, është më e lehtë të shpallesh revolucionar kur të tjerët ta sigurojnë skenën, altoparlantët dhe flakët.
Por këtu qëndron paradoksi: nëse studentët duan të duken si forcë e pavarur, duhet të provojnë se nuk janë thjesht dekor rinor i një beteje politike të vjetër.
Revolucioni i vërtetë nuk matet me atë që arrin të rrëzojë, por me atë që arrin të ndryshojë pa shkatërruar dinjitetin, ligjin dhe të ardhmen e të tjerëve. Studentët që nuk guxojnë t’i thonë jo vandalit pranë vetes, ndërsa kërkojnë që shoqëria t’i thotë jo padrejtësisë, kanë një kontradiktë për të zgjidhur brënda vetes.
Dhe nëse, pas muajsh protestash, pyetja e fundit nuk është «Çfarë korrigjuam?», por «Çfarë ka mbetur pa shkatërruar?», atëherë ndoshta nuk kemi përpara një revolucion të dështuar.
