Telefoni inteligjent është bërë një pajisje e pandashme në jetën e përditshme, duke na shoqëruar kudo, nga çanta te tavolina e punës. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky mjet i domosdoshëm mund të fshehë një rrezik të padukshëm për shëndetin tonë.
Sipas një studimi amerikan, telefoni celular mund të jetë deri në 10 herë më i ndotur se një kapak tualeti, duke u kthyer në një vatër të mundshme bakteresh. Këto mikroorganizma grumbullohen kryesisht në ekran dhe në mbështjellësen mbrojtëse të pajisjes, për shkak të përdorimit të shpeshtë dhe kontaktit të vazhdueshëm me duart tona.
Të dhënat e fundit nga Data.AI tregojnë se përdoruesit kalojnë mesatarisht rreth 3 orë e 30 minuta në ditë me telefonat e tyre, një kohë e konsiderueshme që rrit ekspozimin ndaj baktereve dhe ndotjes mikroskopike.
Ndërkohë, një studim i Universitetit të Miçiganit ka zbuluar se telefonat inteligjentë mund të mbajnë dhjetëra lloje bakteresh. Ky hulumtim është mbështetur në një analizë të kryer mbi 17 mijë nxënës të shkollave të mesme, ku u evidentua prania e mikroorganizmave në sipërfaqet e pajisjeve.
Ekspertët theksojnë se, përveç ndikimit në përqendrim dhe varësinë nga përdorimi i telefonit, higjiena e dobët e pajisjes mund të përbëjë edhe një rrezik real për shëndetin./mxh
