Zogjtë harrojnë si të gjejnë ushqimin, minjtë humbasin kujtesën dhe qentë bëhen më agresivë. Studime të shumta tregojnë se valët e të nxehtit po ndikojnë negativisht në aftësitë njohëse të kafshëve. Rasti më i fundit lidhet me një zog të vogël të Afrikës së Jugut, garrulin dykolor. Studiuesit zbuluan se temperaturat e larta mund të ngadalësojnë ndjeshëm aftësinë e tij për të zgjidhur probleme të thjeshta. Në një eksperiment, zogjve iu vendos ushqim pas një ekrani plastik transparent. Në temperatura normale ata e kuptonin shpejt se duhej të kalonin anash për të arritur ushqimin, ndërsa gjatë vapës shumica vazhdonin të godisnin ekranin, pa gjetur zgjidhjen. Ky nuk është rasti i vetëm. Studime të tjera kanë treguar se kur temperaturat rriten shumë, zogjtë këndojnë më pak, kërkojnë më pak ushqim dhe kujdesen më pak për të vegjlit e tyre. Një pjesë e madhe e ditës u kalon duke u përpjekur të ftohen, me krahët e hapur dhe sqepin hapur. Edhe shumë kafshë tokësore strehohen në vrima ose strofka më të freskëta për t’i shpëtuar vapës. Megjithatë, kjo do të thotë më pak kohë për të kërkuar ushqim, duke rritur rrezikun e kequshqyerjes. Shkencëtarët theksojnë se efektet e temperaturave ekstreme nuk kufizohen vetëm te kafshët. Prej shekujsh dihet se edhe te njerëzit vapa e madhe mund të ndikojë në sjellje, duke u lidhur me rritjen e agresivitetit, stresit dhe problemeve të tjera psikologjike. Sipas ekspertëve, valët e të nxehtit po i bëjnë shumë specie më të ngadalta në mendim, më nervoze dhe më të prekshme ndaj sëmundjeve e mungesës së ushqimit. Për këtë arsye, studiuesit kërkojnë që vëmendja të mos përqendrohet vetëm te dëmet fizike të nxehtësisë, por edhe te ndikimi i saj në shëndetin mendor dhe sjelljen e kafshëve./kb
Artikulli i MëparshëmTurizmi, hapet tenderi për zhvillimin e aftësive, pjesë e programit 106 mln euro
