Për të gjithë tenderat publikë që shpallen nga 2 dhjetori 2026 do të përdoret deklarata e rishikuar për konfliktin e interesit.
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) njoftoi ndryshimin për autoritetet dhe entet kontraktore, si dhe operatorët ekonomikë. Sipas APP data që përcakton përdorimin e formularit të rishikuar është ajo e shpalljes së procedurës.
Në njoftimin e saj, APP-ja përcakton se deklarata duhet të përdoret “për të gjitha procedurat e prokurimit që do të shpallen nga data 2 Dhjetor 2026 e në vijim”.
Deklarata nuk është një dokument më vete por është “pjesë integrale e Formularit Përmbledhës të Vetëdeklarimit”, që përfshihet në Dokumentet Standarde të Tenderit.
Ndryshimet në formular u miratuan me vendimin nr. 06, datë 11 nëntor 2026.
Krahas rishikimit të formularit, APP-ja ka përditësuar edhe udhëzimin për deklarimin e konfliktit të interesit nga zyrtarët dhe nëpunësit.
Udhëzimi nr. 01, datë 11 nëntor 2026, e përcakton fushën e deklarimit si “në procesin e prokurimit dhe zbatimin e kontratës”. Pra, udhëzimi mbulon edhe fazën pas përfundimit të procedurës së prokurimit, kur kontrata zbatohet.
Sipas njoftimit, përditësimet u ndërmorën në bashkëpunim me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, pas miratimit të ligjit nr. 23/2026 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike. APP-ja nënvizon se rishikimi mori parasysh ndikimin e ligjit të ri në prokurimin publik.
Për përditësimin e akteve, agjencia i referohet neneve 19 dhe 23 të ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 285, datë 19 maj 2021, për rregullat e prokurimit publik.
Ndër të tjera në njoftim, APP-ja orienton palët te rubrika “Legjislacioni”, në seksionin “Prokurimi Publik”. Udhëzimi për zyrtarët dhe nëpunësit gjendet tek “Udhëzime”, ndërsa formulari i rishikuar gjendet te “Dokumentet standarde të tenderit”, sipas llojit të kontratës dhe procedurës përkatëse të prokurimit./ Monitor
