Last Updated on 26/03/2026 by Anisa
Pas shkarkimit të papritur të Elisa Spiropali si ministre e Jashtme, tensionet brenda Partisë Socialiste kanë dalë në sipërfaqe, veçanërisht gjatë votimit për autorizimin e kërkuar nga SPAK për Belinda Balluku. Ish-ministrja nuk ishte e pranishme në atë votim, duke shtuar më tej pikëpyetjet mbi zhvillimet e fundit në selinë rozë.
Në mbledhjen e Asamblesë së PS, Spiropali u shkarkua edhe si drejtuese politike e Tiranës, ndërsa vendin e saj e zuri Taulant Balla. Ky i fundit, gjatë një deklarate të martën, foli për një vendim të grupit parlamentar socialist lidhur me Spiropalin, çka nuk u prit mirë nga deputetja socialiste, e cila sfidoi Ballën me mbledhjen e grupit.
Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në “Top Story”, u shpreh se po dalin në pah konfliktet dhe problemet e brendshme të PS, duke “grisur velën që e kishte mbuluar”.
“Po ndodh ajo që deri dje ishte mbuluar me një velë. Sipas shprehjes, për sa kohë nuk bërtet, atëherë ajo gjë nuk ekziston. Ky konflikt, ose kjo sfidë që është hedhur në tryezën politike, më shumë se çdo tjetër është portreti i znj. Spiropali, e cila i vihet humoreve shumë të ndryshueshme të PS. Për momentin ne jemi duke vëzhguar se po ndodh një përpjekje për të kuruar pasojën, por pa u marrë me shkakun.
Selia rozë nuk ishte aq rozë sa ç’dukej nga jashtë, se gëlojnë urrejtje të pafundme dhe ku secili, pavarësisht se në publik dukej se tundeshe ai trëndafili i vetë socialist, një trëndafil tjetër ishte helmuar, i cili mbas shpinës mbante një thikë për t’ia ngulur tjetrit. Beteja interesash, beteja të një grupimi njerëzish që tani i bashkon interesi për pushtet, por jo një ideologji. U gris pra kjo velë dhe u kuptua”, tha Vangjeli.
Nga ana tjetër, analisti Arjan Curri shtoi: “Sigurisht që Spiropali mbijeton, është brenda regjisë. Është gati fluksi i saj nëse Edi Rama do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme”.
